Një pjesë e konsiderueshme e ankesave ka të bëjë edhe më lëshimin nga puna në industrinë e këpucëve, dhe tekstilit si dhe në hoteleri
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 prill – Mos pagimi i pagave, apo ulja e tyre, largimet nga puna dhe transformimi i marrëdhënies së punës nga koha e pacaktuar në kohë të caktuar… janë vetëm një pjesë e ankesave të punëtorëve që kanë kërkuar ndihmë dhe mbrojtje juridike vitin e kaluar nga sindikatat. Deri tek Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë që ofron edhe ndihmë juridike falas për të drejtat nga marrëdhënia e punës, kanë arritur një numër i madh i ankesave edhe për mos shlyerjen e të ardhurave mujore për punëtorët, përkundër faktit se punëdhënësit për këtë kanë pranuar ndihmë financiare nga Qeveria nga masat anti-krizë. Ekzistojnë edhe raste kur punëtorët janë dërguar në shtëpi dhe ju është zvogëluar paga, nën arsyetimin se nuk ka punë shkaku i pandemisë. Ankesa jo të vogla ka pasur edhe për mos respektimin e të drejtës për mungesë të paguar nga puna për punëtorët e sëmurë kronik, gratë shtatzëna, si dhe prindërit me fëmijë të moshës deri 10 vjeç.
Një pjesë e konsiderueshme e ankesave ka të bëjë edhe më lëshimin nga puna në industrinë e këpucëve, dhe tekstilit si dhe në hoteleri. Javën e kaluar, pas kërkesës së Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, është kryer mbikëqyrje e Inspektoratit të punës në një fabrikë të tekstilit në qytetin Bogdanci, dhe pas gjetjes së më shumë parregullsive në punë, punëdhënësi është urdhëruar të kthehejë në punë 70 punëtorë të tekstilit. Paraprakisht, javën e kaluar është realizuar takimi midis kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski me përfaqësues të punëtorëve të tekstilit në Bogdanci, me praninë edhe të kryetarit të kësaj komune për masat që kanë ndërmarrë sindikatat për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Kohë më parë, 70 punëtorë, thonë nga LSM, kanë qenë të detyruar të nënshkruajnë marrëveshje me punëdhënësin, me të cilën ju është transformuar marrëdhënia e punës nga e “koha papërcaktuar” në “kohë të përcaktuar”, me çka ju janë ndërprerë edhe marrëdhëniet e punës. Njëherësh, Inspektorati i punës së bashku me Lidhjen e Sindikatave për paraqitjet dhe ankesat e tilla të punëtorëve për manipulime dhe imponim – do të parashtrojnë edhe padi tek Prokurori Publik përkatës.
Nga ana tjetër, nga Konfederata e Lidhjes së Sindikatave javën e kaluar kanë përkujtuar se veçmë një vit po kërkojnë që punëtorët e sëmurë nga Kovid-19 në vendin e punës, si dhe ata punëtorë që janë penguar të vijnë në punë për shkak të izolimit, t’ju paguhet 100 për qind e pagës si lëndim në punë. Kjo arsyetohet me faktin se në bazë të nenit 39 të Ligjit për sigurim pensional, punëtori një sëmundje të tillë e ka fituar gjatë kryerjes së punës apo në lidhje me të. Njëherësh, në bazë të Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, nevojitet të bëhen edhe vlerësime shtesë për rrezikun në vendet e punës me deklaratë për siguri ku do të përcaktohen të gjitha dëmet dhe rreziqet e mundshme në çdo vend pune. “Me plotësimin e këtij obligimi ligjor, në mënyrë shtesë do të mbrohet më tej shëndeti i punëtorëve, ndërsa çdo mos respektim nënkupton edhe shkelje të ligjeve me çka në mënyrë serioze po kanoset edhe shëndeti i punëtorëve”, vlerësojnë nga Konfederata e Lidhjes së Sindikatave.
Nga fillimi i pandemisë, kjo sindikatë së bashku me personat profesional për mbrojtje në punë nga Shoqata për Mbrojtje në Punë kërkojnë nga institucionet përkatëse që në tërësi të zbatojnë ligjet dhe të gjithë punëtorëve që janë sëmurë në vend të punës apo janë në vetë izolim tu paguhet 100 për qind e pagës. Ndryshe, në mbledhjen e 10-të të Këshillit Ekonomik Social, Lidhja e Sindikatave ka fituar përkrahje të madhe nga ana e Organizata e Punëdhënësve për vërejtjet serioze për vendosjen e mediacionit apo ndërmjetësimit të obligueshëm gjatë ngritjes së procedurës gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve me propozim Ligjin e ri për procedurat gjyqësore. Në takimin e radhës, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë do të kërkohet sqarim konkret se cili është qëllimi i vendosjes së një mekanizmi të tillë, që është në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për marrëdhënie pune dhe Ligjin për zgjidhje paqësore të kontesteve të punës. (koha.mk)