Si masa konkrete që duhet të ndërmerren nga ana e institucioneve mund të jenë:krijimi i një legjislacioni të qartë, lehtë i kuptueshëm dhe i thjeshtë për kompanitë, si dhe reduktimi ndryshimeve të shpeshta të kornizës ligjore ku parashikohen obligime për kompanitë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 shkurt – Në tre vitet e kaluara , ankesat e komunitetit të biznesit në Maqedoni vetëm se përsëriten, kurse ndër kërkesat kryesore kanë të bëjnë me luftën kundër ekonomisë informale dhe korrupsionit, vendosjen e gjyqësorit efikas dhe realizimi i detyrueshëm i marrëveshjeve, por edhe sundimin e së drejtës, ndryshimet e shpeshta të ligjeve pa konsultimin e mjaftueshëm me afaristët, shkruan gazeta KOHA.
Edhe pse në kohën e fundit ka filluar të dëgjohet më shumë zëri i afaristëve gjatë miratimit të ligjeve si dhe po zvogëlohen dënimet, megjithatë për përmirësimin më të madh të biznes klimës në shtet nevojitet vendosja e rregullave të qarta të lojës, sistem më efikas gjyqësor, sistem i parashikueshëm dhe transparent tatimor , administratë më efikase tatimore…
Përfaqësuesit e bizneseve, thonë se presin nga institucionet shtetërore që të angazhohen për ndryshime që do të ndikojnë në krijimin e një klime të biznesit më të mirë në Maqedoni.
Këtë ndër të tjera e tregon analiza e projektit “ Partneritetit për një biznes rregullativë më të mirë”, të financuar nga USAID, që analizon klimën e biznesit në Maqedoni për herë të tretë, në bashkëpunim me katër odat kryesore ekonomike në shtet.
“ Sistemi nevojitet të tregojë një angazhim më të madh për përmirësimin e rregullativës, si rezultat i respektimit më të madh të kërkesave të biznesit. Sivjet pritjet janë të mëdha , ku platforma për partneritet privato- publik funksionon me kapacitet të plotë dhe presim avancim të mëtejshëm. Qeveria këtë vit e shënoi si ‘vit ekonomik’, dhe paralelisht me anëtarësimin në NATO dhe fillimin e bisedave për anëtarësim në BE, ky fakt do të motivojë sipërmarrësit që të përshpejtojnë planet e tyre investuese që do të ndihmojë për zhvillim më të madh dhe rritje më të madhe ekonomike”, thotë drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore, Drilon Iseni. Sipas tij, si masa konkrete që duhet të ndërmerren nga ana e institucioneve mund të jenë:krijimi i një legjislacioni të qartë, lehtë i kuptueshëm dhe i thjeshtë për kompanitë, si dhe reduktimi ndryshimeve të shpeshta të kornizës ligjore ku parashikohen obligime për kompanitë
Nga ana tjetër, Ljubomir Dimovski, konsulent në këtë projekt thotë se mbi 50 për qind e kompanive vlerësojnë se nevojitet të rritet informimi lidhur me rregullativën, që vlen sidomos për bizneset e vogla me pak të punësuar, për shkak të kapaciteteve të tyre të vogla që të ndjekin ndryshimet e ndryshme ligjore. Sipas tij, 69 për qind e firmave vlerësojnë se Maqedonia nuk ka ndryshuar politikën afariste për investime karshi Ballkanit perëndimor , ndërsa nga 17 për qind e të anketuarve vlerësojnë se klima është përkeqësuar apo është përmirësuar.
Ndryshe, analiza është realizuar përmes projektit partneritetit për një biznes rregullativë më të mirë , të financuar nga USAID , që analizon biznes klimën në Maqedoni për herë të tretë. Ajo është relevante për shkak se zbatohet nga ana e katër odave kryesore në vend, Odës ekonomike të Maqedonisë, Odës ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore, Lidhjes së odave ekonomike dhe Masit, apo Odës së teknologjisë informatike. Në të anketohen kompanitë lidhur me problemet që ekzistojnë në biznes, si dhe propozohen edhe zgjidhjet e mundshme në favor të një biznes klime më të mirë në shtet. (koha.mk)