Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 shkurt – Telefona dhe mobilje jocilësore, probleme të ndryshme me llogaritë e telefonisë celulare, llogaritë paushale dhe pagesa e borxheve të vjetra për energjinë elektrike, ngrohjen dhe ujin, ushqime me afat të skaduar, këto vlerësohen të jenë vitin e kaluar problemet kryesore të konsumatorëve në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
Nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë thonë se janë të shumta problemet me servisimin e telefonave celularë, ku shpesh ndodhë të servisohen prodhimet e njëjta për më shumë se tri herë për shkak të gabimeve të fabrikës. Sipas pohimeve të konsumatorëve, i njëjti gabim mund të ndreqet për shkak se problemi teknik paraqitet në mënyrë të vazhdueshme. Ekzistojnë edhe raste kur telefoni është prishur që në orët e para të përdorimit, ndërsa nga ana tjetër konsumatorët thonë se refuzojnë riparimin e celularit , por kërkojnë prodhim të ri nga tregtari që nuk e fitojnë, theksojnë nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë.
Ndodhin edhe raste kur konsumatorëve ju dërgohet në shtëpi një prodhim teknik i dëmtuar mekanikisht si televizor, lavatriçe etj
“Gjatë dorëzimit të prodhimit përderisa ai akoma është u paketuar në kuti , konsumatorët nënshkruajnë se konfirmojnë pranimin e mallit në gjendje të rregullt duke mos ditur se ai është i dëmtuar. Kjo ndodh për shkak të pozitës së pavolitshme në të cilën është i vendosur konsumatori, kur në momentin e ngutjes nuk kontrollon se a është me të vërtetë prodhimi në gjendje funksionale dhe i padëmtuar , andaj edhe nënshkruan duke i besuar tregtarit apo transportuesit” thonë nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë për agjencinë MIA.
Në ndërkohë një numër i madh i ankesave ka arritur edhe për prodhimin e llojeve të ndryshme jocilësore të mobiljeve, për materialin jocilësor nga i cili janë prodhuar këpucët dhe veshmbathjet që menjëherë janë dëmtuar dhe nuk mund të kthehen për shkak se konsumatori nuk mund të realizojë të drejtën ligjore për kthimin e prodhimit, këmbimin ose kthimin e të hollave për shkak se prodhimi pak ka ndryshuar formën ose nuk është në paketimin origjinal.
Konsumatorë kanë paraqitur edhe prodhime të prishura , sende të ndryshme të gjetura në ushqim , prodhime me afat të skaduar ose jocilësore ku është gjetur insekt apo gjësende të forta. Numri më i madh ankesave ka të bëjë me deklarimin e prodhimeve, ku germat janë tejet të vogla ose mungojnë në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Nga ana tjetër janë zvogëluar ankesat për shërbimet turistike.
Sa i takon shërbimeve publike, problemet e ndryshme me llogaritë e telefonisë celulare edhe në vitin 2017, kanë kryesuar ankesat e konsumatorëve në nivel kombëtar. Krahas tyre, konsumatorët janë ankuar edhe për problemet me mbulimin me rrjet apo mungesën e valëve, mosfunksionimin e kartelave, problemet me ndryshimin e operatorëve gjatë bashkimit të dy nga tre operatorët celular, si dhe kompensimin që paguhet gjatë lidhjes së serishme në rrjet në rastin kur konsumatori shkyçet për shkak të mospagesës së llogarisë.
Nga shërbimet e tjera publike, sa i takon furnizimit me energji elektrike dhe të ngrohjes, më së shumti ankesa ka pasur për llogaritë paushale dhe pagesën e borxheve të vjetra. Nga Organizata e Konsumatorëve thonë se mosleximi i rregullt i aparateve matës ka ndikuar në numrin e madh të llogarive paushall, që sipas pohimeve të vetë konsumatorëve janë shumë më të larta se konsumi mesatar familjar.
Ndërprerjet e shpeshta në furnizim me rrymë gjithashtu janë problem me të cilin ballafaqohen konsumatorët në rajone të caktuara shtojnë nga OKM. Konsumatorët kanë pasur probleme edhe me borxhet e mbetura ose të mosfunksionimit si duhet të ujëmatësve. Lidhur me ankesat e konsumatorëve për shërbimet financiare kanë dominuar ato të gjetjes së mënyrës se si të zgjidhet problem me bankat për përllogaritjen e kamatës, hapjen apo mbylljen e llogarisë apo kredisë. Vlen të theksohen edhe ankesat për këshillat shtëpiake, ose për punën joprofesionale të menaxherit të ndërtesës që nuk i përmbush obligimet nga kontrata lidhur për mirëmbajtjen e banesës dhe të ngjashme. (koha.mk)