Organet turke të hetuesisë së shpejti, sipas të gjitha gjasave, do të konstatojnë se çka ndodhi me “trupin e gazetarit të vrarë saudit Xhamal Kashogi”, deklaroi sot një përfaqësues i lartë zyrtar turk.
Ai theksoi se organeve turke të hetuesisë i janë parashtruar kampionë të ADN-së së Kashogit dhe se tani nuk do të duhet të kërkojnë kampionë nga Arabia Saudite.
Autoritetet saudite mbrëmë kumtuan se Kashogi, i cili ishte gazetar i “Uashington post”, është vrarë gjatë rrahjes me një grup njerëzish të cilët i ka takuar në Konsullatën saudite në Stamboll, që paraqet njohjen e parë zyrtare nga ana e Riadit se ai tashmë nuk është gjallë, pasi që dy javë pohonte se nuk ka kurfarë lidhje me zhdukjen e tij.
Për Kashogin u humbë çfarëdo lloj gjurme pasi që më 2 tetor hyri në Konsullatën saudite në Stamboll për të rregulluar dokumentet që i nevojiteshin për kurorëzim me një shtetase turke.
Autoritetet saudite deri më tani pohonin se Kashogi është larguar nga Konsullata, edhe pse Turqia pohonte se ka dëshmi që gazetari është vrarë në ndërtesën e përfaqësisë diplomatike.
Megjithatë, Riadi tani kumton se po zhvillon hetim lidhur me “vrasjen e Kashogit”, me ç’rast tashmë janë arrestuar 18 sauditë, si dhe se për shkak të këtij rasti, nga detyrat e veta janë shkarkuar këshilltari i Gjykatës mbretërore, Saud al Katani dhe zëvendësdrejtori i shërbimit saudit të zbulimit, Ahmed Asiri.