Tiranë, 22 gusht – Anija “Oriku” e marinës ushtarake shqiptare, gjatë patrullimit në ujërat e Detit Egje, ka shpëtuar 36 emigrantë ilegalë, të cilët kanë qenë në një gomone.
Lajmin në Fejsbuk e ka publikuar ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
“Ekuipazhi shqiptar pikasi gomonen ku gjendeshin 19 fëmijë, tetë gra e nëntë burra dhe në bashkëpunim me Fronteksin ia dorëzuan autoriteteve lokale. Krenare për detarët tanë”, ka shkruar Xhaçka.
Shqipëria është anëtare e NATO-s nga viti 2009 dhe është pjesë e aleancës detare të vendeve perëndimore në Detin Egje.
Në kuadër të këtij misioni humanitar, qëllimi i të cilit është shpëtimi i emigrantëve, të cilët ilegalisht tentojnë të transferohen përmes Detit Egje, në ujërat e tij lundrojnë edhe anijet shqiptare “Butrinti” dhe “Lisus”, ekuipazhet e të cilëve në disa aksione kanë shpëtuar rreth 300 emigrantë.