Tiranë, 2 dhjetor – Anija e Forcave të Armatosura Shqiptare, “Lisus”, i kreu dy operacione të njëpasnjëshme shpëtimi në Detin Egje në të cilat janë shpëtuar 84 emigrantë ilegalë, të cilët kanë lundruar me gomone.
Në aksionin e parë mbrëmë rreth orës 22.00 janë shpëtuar 39 persona, ndërsa 31 prej tyre palestinezë dhe tetë sirianë. Në aksionin e dytë, sot pasdite pas orës 11:00 anija “Lisus” i ka shpëtuar 45 emigrantë ilegalë midis tyre pesë gra dhe nëntë fëmijë. Prej tyre 26 janë afganë, 10 irakianë, të tjerët sirianë dhe egjiptianë. Kjo anije shqiptare, nga mesi i tetorit i shpëtoi 73 emigrantë ilegal.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, në kuadër të misionit human për shpëtimin e emigrantëve të cilët në mënyrë ilegale tentojnë të transferohen përmes Detit Egje, në ujërat e tij lundron edhe anija “Butrinti”. Para ca kohësh ekuipazhi i anijes në dy aksione i shpëtoi 41 refugjatë sirianë ndërsa në tjetrin 36 emigrantë ilegalë.