Laura PAPRANIKU
Shkup, 9 gusht – Në përjashtim të fakulteteve të shkencave matematiko-natyrore dhe të mjekësisë, ku për regjistrim vlerësohen lëndët e shkencave përkatëse, në të gjitha fakultetet tjera kandidatët mund të regjistrohen edhe nëse për provim të dytë të Maturës shtetërore kanë pasur gjuhën angleze apo ndonjë gjuhë tjetër të huaj, shkruan gazeta KOHA. Gjuhët e huaja, prej të cilave anglishtja preferohet më së shumti nga maturantët, qëndron në pjesën dërmuese të listave që kanë fakultetet me emrat e lëndëve që shënohen si të rëndësishme për regjistrimin e studentëve të rinj. Këtë lëndë e gjen krahas të tjerave jo vetëm nëpër fakultetet e Filologjisë, Filozofisë dhe Pedagogjisë, por edhe nëpër fakultete të tilla si ai i Ekonomisë, Drejtësisë, Administrim-biznesi, Bujqësisë apo Shkencave të zbatuara. Ndërkaq, ka fakultete si ato të arteve, sportit apo arkitekturës, të cilat e kanë të pakufizuar listën e lëndëve të Maturës shtetërore sa u përket kritereve për regjistrim. Pra, edhe në këto programe studimore, të cilësuara si elitare – merren në konsideratë të gjitha lëndët e mundshme për dhënien e provimeve pa përjashtuar në këtë mes edhe provimet e gjuhëve të huaja. Provimet e Maturës, sikurse dihet, janë kriter bazë për seleksionimin e kandidatëve për regjistrim të studimeve deridiplomike, konkretisht suksesi i arritur në provimet e Maturës dhe suksesi i përgjithshëm i katër viteve të arsim të mesëm, të shprehura me pikë. Kështu, maksimumi i pikëve që mund të fitohet nga provimet e Maturës është 40 pikë, ndërsa maksimumi i pikëve nga suksesi i notave është 60 pikë. Mirëpo, jo të gjitha llojet e maturave vlerësohen njëlloj. Vetëm Matura shtetërore dhe Matura ndërkombëtare mund të llogariten me maksimumin 40 pikë, pasi me provimet e Maturës shkollore ose provimit përfundimtar mund të sigurohen maksimumi 20 pikë, edhe atë sipas parimit – “notat e lëndëve të përshtatshme të maturës shkollore shumëzohen me koeficientin 1.6, ndërsa nota e lëndëve jo të përshtatshme me 0. 8”. Ndërkaq, detyra projektuese shumëzohet me koeficientin 0.8 dhe me këtë mund të fitohen maksimum 20 pikë. Të njëjtën peshë vlerësimi ka detyra projektuese edhe për kandidatët që në përfundim të shkollimit të mesëm kanë paraqitur Maturën shtetërore.
Për këtë lloj mature, llogaritja e pikëve bëhet në atë mënyrë që notat e fituar nga dy provimet e para shumëzohet me koeficientin 10, kurse nota e lëndëve interne të përshtatshme shumëzohet me koeficient 1.6, për dallim prej lënda interne jo të përshtatshme, e cila shumëzohet me koeficient 0.8. Në këtë mënyrë, maksimumi i pikëve të fituara mund të arrijë deri në 40 pikë. Pavarësisht kërkesave për provimet e maturave si kriter bazë për regjistrim, raporton KOHA, universitetet i kanë dyert e hapura edhe për ata që nuk kanë dhënë këso provimesh, pra për gjeneratat e që kanë kryer arsimin e mesëm para vitit shkollor 2017/2008. Seleksionimi për këto kandidatë do të bëhet vetëm në bazë të suksesit të arritur gjatë katër viteve të arsimit të mesëm. Llogaritja e pikëve bëhet duke mbledhur të gjitha notat e evidentuara në dëftesa me atë që shuma e përgjithshme e fituar pjesëtohet me numrin e notave. Suksesi mesatar i fituar shumëzohet me numrin 12.
Ndërkaq, për kandidatët që kanë mbaruar me maturë ndërkombëtare, regjistrohen me kushte dhe kritere të njëjta si dhe kandidatët me shkollë të mesme të mbaruar në Maqedoni, me atë që përveç dokumenteve të tjera dorëzojnë edhe dëftesa të nostrifikuara për pjesën e arsimit të mesëm të kryer jashtë vendit dhe për maturën e kryer ndërkombëtare. Këta kandidatë rangohen në rang-listë të veçantë, kurse do të pranohen ata kandidatë, të cilët do të fitojnë aq pikë, të paktën sa edhe kandidati i fundit i pranuar në kuadër të kuotës shtetërore në programin studimor përkatës. Numri i këtyre kandidatëve mund të arrijë më së shumti 10 për qind, ndërsa shpenzimet për studimet e tyre i bart Ministria për Arsim dhe Shkencë. Për shtetasit e huaj është caktuar që të regjistrohen jashtë kuotave të përcaktuara në Konkurs, ndërsa numri i tyre mund të jetë 20 për qind nga numri i përgjithshëm i studentëve të përcaktuar me konkurs në nivel të fakultetit. Për studentë nga Turqia vlejnë rregullat e caktuara që atje, konkretisht nga ana e Këshillit për arsim të lartë të Turqisë (YOK), të cilët duhet të dorëzojnë dëshmi për dhënien e provimit pranues të organizuar nga YGS.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.