Sot në orën 13:00 filloi shitja e biletave për tifozët kosovarë në faqën zyrtare të Federatës së Futbollit të Anglisë. Mirëpo, interesimi i madh i tifozëve për ta përcjellë nga afër ndeshjen Angli – Kosovë në stadiumin “St. Mary’s” ka bërë që biletat të shiten menjëherë, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Fillimisht ishte paraparë që biletat e ndeshjes Angli – Kosovë për sektorin e tifozëve të Kosovës të dilnin në shitje më 17 qershor, Federata e Futbollit e Anglisë e ka njoftuar FFK-në se një gjë e tillë ka qenë e pamundur të realizohet për çështje teknike.
Kjo ndeshje, e cila do të zhvillohet më 10 shtator, në orën 20:45, do të jetë e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.
Biletat për pjesën e tifozëve të Anglisë ishin shitur më herët. Edhe ato bileta u shiten të gjitha brenda një kohe të shkurtë.
Tabela e Grupit A
Për t’i rritur gjasat për kualifikim drejtpërdrejt nga ky grup, Kosova do ta zhvillojë së pari ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Çekisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Anglia ka më së shumti gjasa ta fitojë këtë grup, kështu që Kosova e ka kundërshtaren më të fortë për pozitën e dytë, që ta siguron kualifikimin në EURO 2020, Çekinë.
Megjithatë, edhe nëse nuk e zë njërën ndër dy pozitat e para në këtë grup, Kosova mund të kualifikohet përmes play-offs, ku e siguroi vendin në gjysmëfinale duke triumfuar në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.