Angjushev – Tehada: Do të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik midis Maqedonisë dhe Zvicrës

Zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për çështje ekonomike Koço Angjushev realizoi takim me ambasadoren zvicerane Sibile Suter Tehada me të cilën bisedoi për bashkëpunimin ekonomik midis dy shteteve. Në takim fokus i posaçëm është vendosur në procedurat për nënshkrim të Memorandumit për mirëkuptim midis Qeverisë së Maqedonisë, Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Ambasadës së Zvicrës/Agjencia zvicerane për bashkëpunim dhe zhvillim, për programin “Zhvillim i qëndrueshëm dhe inkluziv i barabartë rajonal 2017-2021” për të cilin janë planifikuar 5,3 milionë franga zvicerane, me ç’rast Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të marrë pjesë me 1,7 milionë franga zvicerane.

“Qëllimi kryesor i programit është të mundësojë që institucionet përgjegjëse me sukses ta implementojnë politikën për zhvillim të barabartë rajonal, me ç’rast duhet të merret parasysh niveli i zhvillimit të secilit rajon në veçanti. Qëllimi do të arrihet me vendosjen e ‘Sistemit për përmirësim të koordinimit në planifikim, zbatim, ndjekjen dhe vlerësimin e politikës për zhvillim të barabartë rajonal në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në kumtesën nga Kabineti i zëvendëskryeministrit Angjushev.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se zhvillimi i barabartë rajonal është me rëndësi të veçantë për Qeverinë dhe ka shprehur shpresë se do të arrihen rezultatet e planifikuara me ç’rast do të kontribuohet për afrim ekonomik të rajoneve të posaçme planore. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se bashkëpunimi ekonomik midis dy shteteve duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe se me realizimin e projekteve të përbashkëta do të arrihen ende rezultate më të rëndësishme në periudhën e ardhshme.