Ohër, 26 qershor – Së shpejti do të intensifikohen punët në ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër, paralajmëroi sot nga Ohri zëvendëskryeministri i çështjeve ekonomike Koço Angjushev, informon gazeta KOHA.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas prezantimit të Ligjit për energjetikë dhe akte nënligjore, theksoi se problemet teknike janë tejkaluar.
“I kemi zgjidhur problemet me kontratat. Kemi bërë kursim prej 90 milionë eurove në ato kontrata. Tani presim të vazhdojë kreditimi nga Eksim banka, e cila ndaloi së punuari më 15 janar. Financimi është kontestues dhe kjo nuk varet prej nesh, por nga Eksim banka kineze. Këto ditë presim informacione për këtë. Nëse këto informacione nuk arrijnë shpejtë do të kërkojmë mënyra tjera dhe rruga do të vazhdojë intensivisht të ndërtohet”, ka thënë Angjushev, duke konfirmuar se afati për realizimin e projektit mbetet viti 2021.
Lidhur me raportin e fundit të Entit shtetëror për statistikë se investimet kapitale në shtet në pesë muajt e parë të vitit nuk janë në nivel të kënaqshëm, zëvendëskryeministri tha se problemi është detektuar dhe pret që nga muaji i ardhshëm rritje serioze të investimeve. (koha.mk)