Shkup, 15 nëntor – Ndërtimi i interkonektorit të gazit midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë është objekt infrastrukturor energjetik kyç me të cilin sigurohet konkurrencë më e madhe për furnizim me gaz natyror, porositi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev në panelin “Sfidat e sigurisë së energjisë në Mesdheun Lindor” që u mbajt në suaza të Samitit në Selanik, njofton KOHA.
“Për momentin realizohen punë ndërtimore për kompletimin e sistemit primar të gazsjellësit në Maqedoninë e Veriut, me të cilin në sistem do të lidhen të gjitha qytetet më të mëdha në vend, por që të jetë komplet projekti për gazifikim, nevojitet të sigurohet edhe furnizues shtesë me gaz, krahas tubacionit momental të gazit me të cilin sigurohet gaz nga Republika e Bullgarisë. Pikërisht për shkak të kësaj në drejtim të ngritjes së konkurrencës në furnizim, ndërtimi i gazsjellësit me Greqinë është projekt kyç”, tha Angjushev.
Republika e Maqedonisë së Veriut, theksoi ai, është e gatshme të fillojë me këtë projekt, janë siguruar mjete financiare, është përpunuar edhe studim të fizibilitetit, është projektuar rruga dhe në vijim është përpunimi i projektit themelor dhe studimi për mbrojtjen e mjedisit të jetesës të cilat do të jenë gati së shpejti, ndërsa thirrja publike do të duhet të shpallet në fillim të vitit 2020.
Duke u përqendruar në projekte lidhur me energjinë elektrike, zëvendëskryeministri theksoi se për stabilitetin e sistemeve energjetike është me rëndësi të diskutohet për infrastrukturën energjetike, burimet për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe për liberalizimin e tregjeve.
“Konsideroj se sistemet transmetuese elektro-energjetike të Gadishullit Ballkanik janë zhvilluar tejet mirë që të sigurojnë siguri të rrjetit, por sa më shumë rrjete transmetuese kemi, gjithçka më shpejt, që të sigurojmë edhe kapacitet ndërkufitar midis vendeve, tha Angjushev.
Kur flasim për burimet për prodhimin e energjisë elektrike në botë, shtoi, tani përdoret termini “tranzicioni energjetik”, i cili nënkupton kalim nga burimet konvencionale , si centrale të qymyrgurit apo lloj tjetër të karburantit fosil, në prodhimin e burimeve ripërtëritëse (OIE).
“Konsideroj se Maqedonia e Veriut është shembull i mirë e cila filloi ta zbatojë këtë tranzicion, për momentin po zhvillohen projekte për rritjen e prodhimit të centraleve fotovoltaike, në parim të premiumeve. Jam i befasuar nga interesi dhe gatishmëria e investuesve, të cilët jo vetëm që janë të gatshëm të ndërtojnë termocentrale fotovoltaike sipas tarifave nominale premium, por dhe janë të gatshëm të ndërtojnë pas kurrfarë premiumi dhe të ofrohen të ta fitojnë lokacionin për ndërtim të llojit të këtillë të termocentralit”, theksoi Angjushev.
Krahas rritjes së prodhimit nga fotovoltaikë, potencoi zëvendëskryeministri, punojmë edhe në rritjen e prodhimit nga turbinat me erë dhe nga centralet e vogla hidro, prej të cilave tashmë mbi 70 për qind janë në funksion, ndërsa rreth 35 në ndërtim.
Ai theksoi se në një të ardhme të afërme e sheh rajonin e Evropës Juglindore si treg të vetëm të energjisë elektrike, me një bursë për energji, që do të sjellë përfitim për të gjithë qytetarët në të gjitha vendet e rajonit. (koha.mk)