Shkup, 16 tetor – Zëvendës kryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev vlerëson se masa për rritje të rrogës minimale është mirë e matur dhe e kontraktuar me të gjithë partnerët socialë. Ai sot përsëriti se rroga minimale në shtet nuk dallon prej atyre në rajon dhe se ky është mekanizëm mbrojtës për ata punëtorë të cilët nuk kanë zgjedhje në tregun e punës.
“Çdo shtet si mekanizëm mbrojtës vendos rrogë minimale. Në shtetin tonë, rroga minimale nuk dallon shumë nga rrogat minimale në rajon. Por, nga ana tjetër duhet të mbrohen të gjithë ata të cilët nuk kanë zgjedhje në punë, e numri real në terren është se ajo rrogë minimale praktikisht është e vogël për punëtorët të cilët kanë kapacitet të ofrojnë dituri. Gjendja reale është se punëtorë për industri nuk kemi. Të gjitha kapacitetet industriale kanë problem me gjetjen e fuqisë punëtore, ashtu që vlerësojmë se masa është mirë e matur”, deklaroi Angjushev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Klubin e deputetëve. Ai shtoi se kjo është një nga mënyrat që të mbahen qytetarët të mos e braktisin vendin.
“Ne e kemi problemin me largimin e të rinjëve tanë nga shteti dhe ky nuk është problem vetëm te ne, por në tërë rajonin. Nuk guxojmë të jemi kontradiktorë, por të jemi konsekuentë. Nga njëra anë, themi se çka do të bëjmë që t’i ndalim qytetarët në shtetin tonë, ndërsa një nga mënyrat që t’i ndalim është t’u sigurojmë kushte më të mira për jetesë. Një nga kushtet më të mira për jetesë është të kenë edhe të ardhura më të mira personale, ashtu që nëse dëshirojmë të jemi të përkushtuar, duhet të bëjmë masa të tilla që të sigurojmë jetë më të mirë për qytetarët”, tha Angjushev. (koha.mk)