Shkup, 5 shtator – Të rinjtë largohen në shtetet e zhvilluara dhe ky nuk është problem vetëm në shtetin tonë, por edhe në gjithë rajonin, ndërsa mënyra e vetme që të bëni që ata të mbeten në shtet është që t’iu siguroni kushte më të mira për jetë, që në rend të parë, nënkupton të ardhura më të larta, deklaroi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, njofton Koha.mk
Ai vlerëson se me kufizimin eventual të vlerës së pagave të cilat do t’i stimulojë shteti me pagesën e kontributeve për rritjen deri në 6.000 denarë nuk do të arrihet qëllimi për motivimin e të rinjve dhe në përgjithësi të kuadrove me arsim të lartë që të mbesin në shtet.
Zgjidhja ligjore për rritjen e subvencionuar të pagave në sektorin privat është vendosur në RVKE, është ende lëndë e diskutimit para se të hyjë në Parlament, dhe siç thotë Angjushevi, janë të mirëseardhura të gjitha vërejtjet.
“Ai ligj praktikisht është gjithashtu një investim, ndoshta jo kapital, material, por në kapitalin njerëzor në shtet. Dëshirojmë që të jemi partnerë që kompanive tu ndihmojmë që të gjejnë mënyrë se si t’i mbajnë të punësuarit e tyre t’i rrisin pagat sepse kjo është sfidë dhe kompanitë edhe pse ndonjë herë atë e dëshirojnë megjithatë likuiditeti i tyre dhe margjina të cilën e kanë nuk iu lejon. Dëshirojmë që tu ndihmojmë që këtë në mënyrë më intensive ta bëjnë me qëllim që t’i mbajmë në shtet njerëzit tanë”, deklaroi Angjushev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, pas prezantimit të produktit të kompanisë VT Prodakshën, shfrytëzues i grantit të bashkëfinancuar të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.
Kufizim i mbështetjes në vlerë prej 24.000 denarë ndoshta do të mbulojë pjesën më të madhe të punëtorëve të drejtpërdrejtë të prodhimtarisë, por, thotë Angjushev, jo edhe intelektualët të cilët dëshirojmë t’i mbajmë në shtet, njerëzit të cilët kanë përfunduar fakultete, inxhinierët, mjekët në klinikat private, sepse kjo është, para së gjithash, për sektorin privat.
“Nga ana tjetër, bëmë faktor tjetër kufizues, kjo rritje është në kuadër të 600 deri 6.000 denarë, kështu që mendoj se është mirë që të rriten pagat gjegjësisht ta shfrytëzojnë këtë masë në të gjitha segmentet, e madje edhe kategoria e fundit e kuadrove me arsim të lartë në shtetin tonë. Të rinjtë largohen në shtetet e zhvilluara dhe ky nuk është problem vetëm në shtetin tonë por edhe në gjithë rajonin, Serbi, Bullgari, Kroaci dhe Rumani. Mënyra e vetme që të bëni që ata të mbesin në shtet është që tu siguroni kushte më të mira për jetë, kushte më të mira për jetë nënkupton shumë punë, megjithatë gjithsesi në rend të parë nënkupton të ardhura më të larta”, tha Angjushev.(koha.mk)