oznanj, 4 korrik – Zëvendëskryeministri i angazhaur për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev sot në Poznanj porositi se rajoni duhet ta përforcojë bashkëpunimin e ndërsjelltë, por është i bindur se kjo nuk do të thotë zëvendësim për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Me zgjidhjen e kontesteve të mëdha bilaterale me Greqinë dhe Bullgarinë, Maqedonia e Veriut paralelisht e përforcoi bashkëpunimin ekonomik me këta fqinj, duke arritur përqindje dyshifrore në këmbimin ekonomik.
Angjushev, siç lajmëroi raportuesi i MIA-s, bëri thirrje të intensifikohen këmbimet në nivel rajonal, dhe të lehtësohen jo vetëm përmes projekteve infrastrukturore por edhe përmes mënjanimit të barrierave dhe kufijve mes shteteve.
“Nuk ka rezultat nëse shpenzoni gjysmë miliardë euro në një shtet të vogël në të cilin do të shkurtoni udhëtimet, por më pas do të duhet të pritet tre, katër, pesë orë në kufi, kjo nuk ka kurfarë arsyetimi ekonomik, krahas ndërlidhjes infrastrukturore duhet t’i mënjanojmë të gjitha pengesat administrative që i kemi”, tha Angjushev.
Ai bëri thirrje për hapa të guximshëm “nëse dëshirojmë zhvillim të shpejtë ekonomik” si dhe besim më të madh në rajon. Ata hapa, siç theksoi, duhet të shkojnë në drejtim të njohjes së ndërsjelltë të certifikateve për shembull edhe heqjen e barrierave doganore.
Maqedonia e Veriut, tha ai, është e gatshme të kontribuojë për atë proces.
“Nuk ka kuptim të vendosim kufij mes veti e më pas të themi se dëshirojmë në BE, ejani të tregojmë se jemi të gatshëm për atë”, tha zëvendëskryeministri Angjushev.
I pyetur nëse projekti i këtillë nuk është në njëfarë mënyre zëvendësim për anëtarësim të plotë në BE, Angjushev i hodhi poshtë dilemat e tilla me bindje se në asnjë rast kjo nuk do të thotë heqje dorë nga qëllimi eurointegrues.
“Ky proces është vetëm si ta rrisim bashkëpunimin në rajon sepse ne më shumë bashkëpunojmë me BE-në se sa me rajonin, kjo vetëm do të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të shtetit tonë”, tha Angjushev.
Ai theksoi se rritja e shtuar në Maqedoninë e Veriut në tremujorin e fundit, si dhe investimet e rritura të drejtpërdrejta të huaja, janë, mes tjerash, rezultat edhe i bashkëpunimit të shtuar rajonal me Greqinë dhe Bullgarinë pasi që u zgjidhën kontestet bilaterale.