Shkup, 15 korrik – Bashkëpunimi i deritanishëm midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, por edhe për mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen, veçanërisht në fushën e ekonomisë ishin temat e takimit të sotëm të zëvendëskryetarit të Qeverisë të obliguar për çështje ekonomike, Koço Angjushev me ambasadoren e sapoemëruar amerikane në vend, Kejt mari Bërnz.
Siç kumtuan nga kabineti i zëvendëskryeministrit, Angjushev i dëshiroi mirëseardhje ambasadores dhe duke ia uruar emërimin në pozitën e re i dëshiroi shumë sukses në kryerjen e detyrave të punës. Angjushev u falënderua për mbështetjen të cilën SHBA-ja ia jep procesit të anëtares së plotfuqishme të NATO-s, si dhe në procesin e zbatimit të reformave në drejtim të hapjes së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
“Bashkëpunimi midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së është në nivel shumë të lartë. SHBA-ja është partnere strategjike e vendit tonë dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen”, nënvizoi Angjueshev.
Ai i prezantoi politikat ekonomike të Qeverisë, me ç’rast theksoi se nga gjendja e trashëguar ekonomike e cila ishte në negativë, tani ekonomia është stabile, ndërsa shkalla e rritjes së BPV-së prej 4,1% e cila është regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2019, është bazuar në punën e ekonomisë reale e cila në afat të gjatë do të sigurojë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe zhvillim. Njëherit informoi se në vitin 2018 është vërejtur nivel rekord i lartë i investimeve direkte të huaja prej 624,5 milionë euro, me çka konfirmohen politikat e mirë ekonomike, gjegjësisht stabiliteti dhe siguria, si veprues kyç në krijim të politikave të përgjithshme për siguri të investitorëve.
Zëvendëskryeministri nënvizoi se bazë e zhvillimit të ekonomisë është Ligji për mbështetje financiare të investimeve, i cili është transparent dhe i barabartë për të gjithë investitorët,me kritere të qarta, qëllimi i të cilit është që të nxitet modernizimi dhe zhvillimi teknologjik i ekonomisë dhe me këtë të përforcohet konkurrenca e kompanive të Maqedonisë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.
Bashkëbiseduesit, shtohet në kumtesë, u pajtuan se mbështetja e ekonomisë reale dhe industrializimit, gjegjësisht investimet e reja në modernizim dhe zhvillim teknologjik të kompanive, sigurojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe më të fuqishme në afat të gjatë.