Shkup, 19 shtator – Alokimi i mjeteve atje ku do të ketë efikasitet më të madh dhe ku mund të arrihen efekte më të mëdha ekonomike, është qëllimi i ribalancit të propozuar të Buxhetit, që prej sot është në rend dite të Komisionit kuvendor amë për financim dhe buxhet.
Ministrja e Financave Nina Angelovska, për të cilën ky është dokumenti i parë i rëndësishëm që e elaboron para deputetëve, tha se me të sigurohet sistemi i një pjese më të madhe të të ardhurave publike te qytetarët, investim direkt në nevojat dhe potencialet e njerëzve dhe përkrahje e fuqishme financiare për biznesin për hapjen e vendeve të reja të punës dhe pagesa të pagave më të larta në sektorin privat dhe për të gjithë punëtorët.
“Nga ky ribalanc për qytetarët sigurojmë përkrahje për paga më të larta për të punësuarit në sektorin privat, paga më të larta për të punësuarit në administratën publike, më shumë mjete për përkrahje të masave aktive për punësim të qytetarëve të papunë, dhe përfundimisht, për më pak se tre muaj për herë të parë qytetarëve do t’u kthehen paratë e para përmes projektit TVSH-ja Ime. Ndërsa ky nuk është përfitimi i vetëm nga ky projekt, sepse përmes projektit TVSH-ja Ime qytetarët direkt e ndihmojnë luftën për zvogëlim të ekonomisë gri”, theksoi Angelovska.
Ajo shtoi se qëllimet e parashtruara për vitin 2019 tërësisht janë kahëzuar në funksion të arritjes së prioriteteve kyçe të shoqërisë: shkallë më të larta të rritjes së ekonomisë, rritje të punësimit produktiv, ngritje të standardit jetësor të popullatës, arritje të nivelit më të lartë të së drejtës sociale dhe intensifikim të proceseve integruese për BE-në dhe NATO-n.
Përkujtoi se nga 1 shtatori hyn në fuqi rritja e re prej pesë për qind e pagave në administratën publike, shëndetësi, arsim, kopshte, polici, kulturë, mbrojtje dhe veprimtari tjera në administratën publike.
“Kjo do të thotë se në të gjitha rritjet e deritanishme, nga 1 shtatori vijon edhe një rritje e pagave në sektorin publik për pesë për qind, e cila gjithsesi do të paguhet në fillim të tetorit”, tha Angelovska.
Me ribalancin, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 210,5 miliardë denarëve, përderisa shpenzimet e përgjithshme janë konfirmuar në shumë prej 228,3 miliardë denarëve. Deficiti mbetet i pandryshuar në raport me të planifikuarin me Buxhetin, përkatësisht i pozicionuar në shumë prej 17,7 miliardë denarëve, përkatësisht 2,5 për qind të BPV-së.
Ministrja theksoi se revidimi ka të bëjë me relokacion të mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetorë, uljen e pozitave të caktuara tek shpenzimet kapitale të shfrytëzuesve buxhetorë tek të cilët është evidentuar dinamikë e ngadalësuar e realizimit, posaçërisht tek projekte të financuara me linja të jashtme kreditore, revidim i shpenzimeve të cilat shfrytëzuesit buxhetorë i realizojnë në llogaritë e veta, ulje të shpenzimeve të normës së interesit për 924 milionë denarë.
Me ribalancin janë siguruar 99 milionë denarë për funksionim të papengueshëm të Agjencisë së sapoformuar për siguri nacionale, plotësisht 560 milionë denarë, ndërsa në gjysmën e parë të vitit me relokacione janë siguruar edhe 355 milionë denarë si mbështetje e drejtpërdrejtë në bujqësi dhe përballje me sëmundjen e murtajës afrikane tek derrat, 183 milionë denarë për Sistemin kolektor për mbrojtje të Liqenit të Ohrit, për përmbushje të rekomandimeve nga UNESKO, plotësisht 244 milionë denarë për sistemin e drejtësisë, përkatësisht gjyqësinë dhe prokurorinë, me qëllim të përforcimit të gjendjes financiare dhe zgjidhjes së çështjes lidhur me pagesën e kompensimeve të të punësuarve në këtë resor, 200 milionë denarë rritje të ndihmës shtetërore në Fondin për inovacione dhe Agjencisë për investime të huaja dhe nxitje të eksportit,, alokim të mjeteve për blerje të aksioneve për pronësi të plotë shtetërore të GA-MA, 300 milionë denarë për kthim të një pjese të TVSH-së ndaj personave fizik.
Janë paraparë plotësisht 200 milionë denarë për politika dhe masa aktive si mbështetje të punësimit, në të cilat është përfshirë edhe masa e re për mbështetje të të rinjve në prodhimtari, subvencionim të kontributeve nga sigurimi i obligueshëm social për shkak të rritjes së rrogës në shumë prej 400 milionë denarëve. Qëllimi i kësaj mase, thotë Angellovska, është të stimulohet rritja e rrogave të të punësuarve në sektorin privat përmes mbështetjes financiare për punëdhënësit të cilët do të kryejnë rritje të rrogës së të punësuarve deri 100 euro.
Me ribalancin ka më shumë mjete për furnizim të barërave për sëmundje të rralla dhe insulinë në shumë prej 193 milionë denarëve, si dhe alokim të mjeteve shtesë në shumë prej 660 milionë denarë në Fondin për sigurim shëndetësor me qëllim të realizimit të papengueshëm të së drejtës së mbrojtjes shëndetësore dhe pushimeve mjekësore. Më pas transfer më i madh i Fondit për sigurim pensional dhe shëndetësor prej 815 milionë denarëve drejt shoqatave pensionale nga shtylla e dytë pensionale, në pajtim me pagesat mujore për numrin e të siguruarve, që, siç tha ministrja, në thelb e konstaton edhe trendi për rritje të papunësisë. (koha.mk)