Shkup, 3 dhjetor – Projekti për subvencionimin e kreditove banesore nga shteti do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Për subvencione e vitit të ardhshëm janë paraparë 125 milionë denarë në buxhet dhe ministrja e Financave Nina Angelovska nuk pret që zgjedhjet të bëjnë pengesë në realizimin e këtij projekti. Qytetarët mund të marrin informata për kushtet e reja që do të jenë për vitin e ardhshëm, prej datës 6 deri më 8 të këtij muaji në Panairin “Bli shtëpi, bli banesë” në Siti Mall Shkup. Në një vend do të jenë informatat në dispozicion për atë se ku mund të aplikohet, për bankat që janë pjesëmarrëse në projektin, oferta nga kompanitë ndërtimore dhe informata nga Ministria e Financave, njofton KOHA.
Ministrja e Financave, Nina Angelovska, duke paralajmëruar për Panairin, u shpreh që ka interes të madh për projektin dhe që këtë vit janë shpërndarë 97 kredi banesore të subvencionuara në vlerë prej 3,6 milionë euro dhe subvencion i dhënë prej 1,1 milionë euro.
“Vetëm në tre muajt e fundit, prej se kushtet e reja janë në fuqi, janë dhënë 61 kredi. Nga të gjitha kreditë e aprovuara këtë vit, 48 janë për të rinjtë. Për banesa janë 71 dhe pjesa tjetër janë për shtëpi. Nga aplikantët 45 për qind janë gra, 55 për qind janë burra. Pritet që deri në fund të vitit të ketë rreth 150 kredi të dhëna”, deklaroi ministrja, Nina Angelovska.
Vlerësoi që me ndryshimet e bëra në projektin, dukshëm janë përmirësuar kushtet për qytetarët të cilët kanë nevoja për mbështetje nga shteti për t’u bërë me shtëpi të tyre.
“Përfitimi më i madh për qytetarët është ulja e normave të interesit për dhënien e kredisë për banesë të subvencionuar edhe atë: për modelet ku shteti subvencionon këstin e kredisë, norma e interesit u ul nga 3,95 për qind në 2,9 për qind, ndërsa për vitin e katërtë dhe për vitin e pestë norma e interesit u ul nga 4.44 për qind në 3.9 për qind. Dhe në modelet ku pjesëmarrja është subvencionuar, norma e interesit është ulur nga 4,5 për qind + EURIBOR në 4 për qind + EURIBOR. Ekzistojnë modele të reja, veçanërisht të përshtatshme për të rinjtë deri në moshën 35 vjeçe. Për të blerë një apartament ku edhe interesi është më i lartë, subvencioni mujor me këste është rritur nga 50 për qind në 70 për qind – kjo do të thotë që në pesë vitet e para të shlyerjes së kredisë, shteti do të paguajë 70 përqind të këstit mujor, ndërsa huamarrësi vetëm do të paguajë 30 përqind. Subvencioni për modelet ku subvencionohet pjesa gjithashtu është rritur nga 50 për qind në 70 për qind. Kjo do të thotë që nëse përfituesi i projektit përdor këtë model, 70 për qind e interesit të kredisë do të paguhet nga shteti”, theksoi ministrja, Nina Angelovska.
Ajo theksoi se një përfitim i ri shtesë për projektin ka për qëllim ngritjen e nivelit të natalitetit në vend. Përkatësisht, për çdo fëmijë të sapolindur ose të birësuar gjatë 10 viteve të para të përdorimit të kredisë, huamarrësi merr subvencion shtesë me këste 30 për qind mbi një vit plus.
Për këtë projekt janë ndarë dy milionë euro këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm janë paraparë 125 milionë denarë.
Ministrja nuk pret që të ketë pengesa në zbatimin e projektit pasi do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm dhe do të ketë qeveri teknike nga 3 janari.
“Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do t’i kërkohet mendim për të thënë nëse mund të vazhdojë. Ne nuk shohim asnjë arsye pse të mos vazhdojë sepse është një projekt në vazhdim, gjithashtu në të kaluarën nuk ka pasur asnjë problem në përputhje me përvojën, kështu që nuk presim që procedura të ndalet. Përkundrazi, bëhet fjalë për projekt që është në vazhdim dhe interesi i të gjithëve është që të vazhdojë dhe jo të vonohet dhe të aprovohen kërkesat e qytetarëve”, u shpreh ministrja Nina Angelovska. (koha.mk)