Shkup, 29 janar – Ministrja e Financave, Nina Angellovska sot e nënshkroi Konventën Multilaterale për masa për parandalim të erozionit të bazës tatimore dhe zhvendosje të profitit, në kuadër të takimit të tetë të BEPS (Kornizë për masa kundër evazionit tatimor të OECD-së) që po mbahet në Paris.
Me nënshkrimin, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Financave, të kësaj marrëveshje multilaterale do të përforcohen marrëveshjet ekzistuese për shmangien e tatimit të dyfishtë, në drejtim të luftës kundër evazionit tatimor.
Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i 94-t i cili e nënshkruan këtë konventë.
Tema kryesore për diskutim në takimin e tetë BEPS janë sfidat tatimore të cilat dalin nga digjitalizimi. Në takim marrin pjesë 35 delegatë nga 122 vende të cilat diskutojnë për sfidat, me qëllim që të gjejnë koncensus dhe të përcaktojnë hapa drejtë zgjidhjeve potenciale, prej të cilave disa mund të bëjnë ndryshime në normat ndërkombëtare tatimore, të cilat gjithashtu janë me rëndësi të madhe për vendet në zhvillim.
Në gusht të vitit 2018 Republika e Maqedonisë së Veriut u bë vendi i 117-të anëtar i Kornizës inkluzive BEPS. Në këtë Kornizë, në mënyrë të barabartë me vendet tjera marrim pjesë në ndërmarrjen e masave për parandalim të shmangies së pagesës së tatimit, gjegjësisht masa për ruajtjen e bazës së vet tatimore. Pakoja BEPS përbëhet nga 15 masa në kuadër të së cilave janë përcaktuar aktivitetet të cilat do t’iu ndihmojnë vendeve në menaxhimin me mundësitë për shmangien e pagesë së tatimit. Republika e Maqedonisë së Veriut në mënyrë aktive merr pjesë në zbatimin e kësaj pakoje të masave.