Shkup, 14 shkurt – Këshilli i prokurorëve publik ka kërkuar nga prokurorja speciale Katica Janeva t’ua dorëzojë lëndën dhe dokumentacionin për rastin “Puçi”. Takimi mes kryetarit të KPP-së, Petar Anevski dhe prokurores speciale Katica Janeva, u ndërmor me iniciativë të kësaj të fundit. “U morëm vesh që javën tjetër pesë prokurorë të Prokurorisë publike speciale(PSP) të kenë takim me anëtarët e Këshillit të prokurorëve publik dhe të merren vesh se si do të shkojë procedura”, tha shkurt Anevski pas takimit tridhjetë minutësh kokë më kokë me prokuroren speciale Katica Janeva. “Kjo bëhet me qëllim që të mund të vërtetojmë shkaqet për të cilat PSP solli vendim që të tërhiqet nga lënda dhe të tërheqë aktakuzën”, tha ai. Pas takimit me anëtarët e Këshillit, Janeva refuzoi të prononcohet për mediat, por vetëm shkurt theksoi se javën e ardhshme përsëri do të takohet me Anevskin dhe kolegët e tij dhe se deri atëherë do të mendojë. “Nuk kam koment, do të shohim javën e ardhshme”, tha shkurt prokurorja speciale, Katica Janeva.