Omer XHAFERI
Shkup, 9 janar – Këshilltarët e LSDM-së në Qytetin e Shkupit i kanë dorëzuar emrat e anëtarëve të Këshillave drejtues në Ndërmarrjet Publike që funksionojnë nën kompetencat e qytetit, shkruan gazeta KOHA. Tashmë 56 anëtarë në këshillat drejtues – që të gjithë maqedonas janë caktuar, ndërsa 14 të tjerë – pritet të jenë shqiptarë. Numri i plotë anëtarëve në këto Këshilla, varion nga ndërmarrja në ndërmarrja, me çka lista përfundimtare e këtyre përbërjeve pritet të dihet pasi që të zgjidhen anëtarët shqiptarë. Zërat dhe spekulimet se gjatë konstituimit të këtyre Këshillave është bërë padrejtësi ndaj shqiptarëve, i kanë demantuar drejtorët e disa prej ndërmarrjeve publike, respektivisht ata për gazetën KOHA kanë thënë se parimi i përfaqësimit të drejtë gjithsesi do të respektohet. Gazeta KOHA, me qëllim sqarimin e dilemave rreth kësaj situate të krijuar në opinion, tentoi t’i kontaktojë këshilltarët shqiptarë në Qytetin e Shkupit, megjithatë të njëjtit ishin të pakapshëm për shkak të pushimeve të lidhura. Lidhur me këtë çështje, burime brenda Qytetit të Shkupit nënvizojnë se këshilltarët shqiptarë janë duke i përfunduar listat e fundit me emrat e anëtarëve shqiptarëve, që do të jenë pjesë e gjashtë Këshillave drejtuese në ndërmarrjet publike.
“Emrat e publikuar të anëtarëve të Këshillit drejtues në ndërmarrjen që unë e drejtojë, përbëjnë vetëm një pjesë të Këshillit i cili përbëhet nga 9 anëtarë, prej të cilëve shtatë janë përzgjedh – maqedonas, ndërsa gjatë periudhës që vijon pritet të zgjidhen edhe dy anëtarë shqiptarë. Ky parim po ashtu do të respektohet edhe gjatë kompletimit të Këshillit mbikëqyrës në ndërmarrje”, tha për KOHA, Adrian Muça, drejtori i ri i Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërime”.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, u zgjodhën shtatë anëtarë të Këshillit drejtues të NP “Higjiena Komunale”, (ngelet të zgjidhen dy anëtarë shqiptarë), 9 anëtarë të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, (pritet të zgjidhen edhe 2 anëtarë shqiptarë), respektivisht pasi në NP “Rrugë dhe rrugica”, u caktuan 7 anëtarë të Këshillit drejtues, ka mbetur që këshilltarët shqiptar nga radhët e BDI-së t’i propozojnë edhe dy apo tre anëtarë tjerë për këtë Këshill. Situatë e ngjashme është edhe në Këshillat drejtues të NP “Transportit Publike Shkup” dhe NP “Parkingjet e Qytetit”.
“Siç mund të shihet, Këshilli drejtues në ndërmarrjen që unë e udhëheq nuk është i plotë. Lista me emrat e anëtarëve që qarkullon nëpër media nuk është kompletuar ende. Gjatë javëve në vazhdim, besoj se drejtuesit e BDI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit do t’i dorëzojnë emrat e anëtarëve shqiptar dhe kështu parimi i përfaqësimit të drejtë do të respektohet”, tha Dushko Vasevski, drejtor i ri i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Ndryshe, me ndryshimin e pushtetit lokal, në Qytetin e Shkupit, për herë të parë pas shumë viteve shqiptarëve u janë dhënë nën menaxhim dy Ndërmarrje Publike. Përveç NP “Higjiena Komunale”, e cila vite me radhë ka qenë e drejtuar nga kuadro shqiptar, vitin e kaluar për udhëheqës të NP “Parqe dhe Gjelbërime” u caktuar për drejtor Adrian Muça. (koha.mk)