Omer XHAFERI
Shkup, 10 janar – Plotësimi i vendeve të lira të anëtarëve shqiptarë në Këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike në Qytetin e Shkupit dhe zëvendësit e drejtorëve, pritet të zgjidhen në seancën e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, shkruan gazeta KOHA. Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, gjatë fillimit të aksionit gjeneral për pastrimin e komunave në kryeqytet, tha se administrata e re e qytetit ka nevojë për njerëz që i përmbushin kualifikimet ligjore. “Neve nuk na intereson pjesa tjetër, përveç asaj që e kërkojnë ligjet. Mjafton që drejtorët dhe zëvendësit e tyre t’i përmbushin kushtet e parapara ligjore. Opinioni është dëshmitarë që dy ndërmarrje publike në kuadër të Qytetit udhëhiqen nga kuadro shqiptarë. Unë dhe LSDM, stereotipat për një etnikum të caktuar i kemi tejkaluar”, tha Shilegov. Gazeta KOHA ditë më parë njoftoi se këshilltarët e LSDM-së në Qytetin e Shkupit i kanë dorëzuar emrat e anëtarëve për Këshillat drejtues në Ndërmarrjet Publike që funksionojnë nën kompetencat e Qytetit. Tashmë 56 anëtarë në këshillat drejtues – që të gjithë maqedonas janë caktuar, ndërsa 14 të tjerë – shqiptarë, pritet të emërohen gjatë ditëve në vazhdim. Numri i plotë anëtarëve në këto Këshilla varion nga ndërmarrja në ndërmarrje, me çka lista përfundimtare e këtyre përbërjeve pritet të dihet pasi që të zgjidhen këto anëtar.
Në aksionin gjithëpërfshirës për ndotjen e ajrit, i cili filloi nga Çairi, mori pjesë edhe kryetari i kësaj Komune, Visar Ganiu. Ai me këtë rast bëri të ditur se së bashku me drejtorët e Ndërmarrjeve Publike “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërimi”, gjatë ditëve në vijim do të pastrojnë pjesë të ndryshme të Çairit dhe më pas komunave tjera. Drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Abdusamed Jashari, tha se në këtë aksion janë të kyçur me të gjitha kapacitetet teknike dhe kadrovike. Krahas pastrimit dhe rregullimit të gjelbërimit, ai nënvizoi se ky aksion synon ngritjen e vetëdijes qytetare për kujdesin më të madh ndaj të mirës publike. Njëkohësisht, drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Adrian Muça, tha se ndarja e qytetit dhe mirëmbajtja selektive e hapësirave të gjelbëruara në Qytetin e Shkupit do t’i takojë të kaluarës. Brenda këtij viti, sipas drejtori Muça, shërbimet e NP “Parqe dhe Gjelbërime” do të rregullojnë çdo cep të rrugëve në qytetet, përfshi Komunën e Çairit dhe Sarajin. (koha.mk)