Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 shkurt – Integrimet euro-atlantike gjithmonë janë parë edhe si mundësi zhvillimi për gjithë ato shtetet që aspirojnë të bëhen nesër anëtarë të BE-së dhe NATO-s. Një mundësi të tillë e ka edhe Maqedonia, shkruan gazeta KOHA. Me tejkalimin e kontestit rreth emrit, do të hapej edhe rruga për anëtarësim në NATO, që nënkupton përmirësim të klimës së biznesit dhe rritje të besueshmërisë tek investitorët vendorë e të huaj.
Se cilat mund të jenë përfitimet nga këto integrime, flet rasti i Shqipërisë, e cila duke qene anëtare e NATO-s, vetëm në vitin e kaluar ka thithur gati një miliardë investime të huaja, kundrejt Maqedonisë e cila ka arritur mezi 358.4 milion euro, ose për tre herë më pak se Shqipëria. Analizat tregojnë se të gjithë 12 shtetet, që u anëtarësuan në NATO pas rënies së murit të Berlinit, shënuan rritje të investimeve të huaja. Kjo shpjegohet me faktin se prosperiteti ekonomik është ngushtë i ndërlidhur me stabilitetin si garanci, si dhe përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të shteteve. Këtu përjashtim bën vetëm Kroacia e cila pësoi për shkak të krizës financiare nëpër të cilën kaloi. Efektet e anëtarësimit në suaza afatgjate janë shumë pozitive, për shkak se investitorët e huaj potencial e kuptojnë se shteti bëhet më i sigurt dhe më ligjor , sistemi ekonomik më stabil dhe më i hapur dhe i volitshëm për investime direkte të huaja.
Me përjashtim të Kroacisë, të gjitha anëtaret e reja tregojnë rritje të përqindjes së investimeve të huaja në Prodhimin e Brendshëm Bruto . Në Shqipëri është shënuar rritje prej 3.72 në 9,12 për qind, në Bullgari prej 3,36 për qind në 12,06 për qind , ndërsa në Hungari prej 6,23 në 9,88 për qind. Madje në Estoni, që ka realizuar edhe reforma të fuqishme ekonomike, monetare politike, si dhe sundimin e së drejtës, janë rritur investimet e huaja nga 775 milion euro në vitin 2004, në 2 miliardë euro në vitin 2006, ndërsa në Bullgari investimet janë rritur prej 7.5 miliardë euro në vitin 2004, në 11.5 miliardë në vitin 2005.
Hyrja e Shqipërisë në NATO siguroi stabilitet ekonomik, kështu që pas nënshkrimit të marrëveshjes më 2008 dhe anëtarësimit në Aleancën Veri-atlantike në vitin 2009, janë rritur investimet e huaja nga 481 milion euro, në vitin 2007, në 793 milion euro, në vitin 2010. Angazhimet në realizimin e reformave , ambienti i volitshëm rajonal si dhe imazhi i shteti me ardhmëri të parashikueshme, janë disa nga faktorët që nuk mund të anashkalohen gjatë miratimit të vendimeve për lëvizjen e kapitalit, vlerëson eksperti Stevo Pendarovski,
“Obligimet tona deri në samitin e ardhshëm në korrik të vitit 2018 do të përfundojnë, por në procesin e pranimit të anëtareve të reja, ndikim do të kenë edhe kalkulimet nacionale të 29 shteteve të tjera anëtare për shkak të principit të vendosjes me konsensus. Për dallim prej samitit në Bukuresht, shpresoj se këtë herë do të jetë dominues interesi kolektiv për një Evropë të sigurt”, thotë Stevo Pendarovski, bashkërendues kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Sipas tij, në tre vitet e fundit, Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë më stabile në aspektin politik, me tregues pozitiv për kthimin e tërësishëm në binarë në vitin 2018.
“Fazat e planit 3-6-9, janë me të vërtetë të ngjeshura , por të realizueshme. Në tre muajt e parë definohet koncepti i reformave në gjyqësor dhe shërbimet e sigurisë, në gjashtë muaj vendosen bazat normative të modifikimit të sistemeve, ndërsa në tre mujorin e fundit do të qartësohen rezultatet e para. Këtu duhet të shtoj edhe kontestin për emrin, për shkak se është e qartë se bëhet fjalë për një parakusht krucial , i cili për shkak të shtresave emocionale dhe historike është edhe më i vështirë për tu zgjidhur”, thekson Pendarovski. Ai është i mendimit se procesi i rinovimit të institucioneve të shkatërruara në themel nuk mund të zhvillohet më shpejt. Ndonëse është optimist se Maqedonia në pranverë do të ketë një portofol të kënaqshëm , megjithatë, sipas tij, gjysma e punës nuk do të varet nga ne, sa i përket tejkalimit të kontestit rreth emrit. Por, nëse Maqedonia vërtetë dëshiron të thellojë kursin reformave dhe të përshpejtoj ritmin e zhvillimit ekonomik, alternativë tjetër nuk ka. Proceset eurointegruese, janë alternativa e vetme e zhvillimit dhe prosperimit. (koha.mk)