Shkup, 3 korrik – Marrëveshje e arritur për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe për partneritetit strategjik sipas të cilit emri zyrtar i Republikës së Maqedonisë ishte kusht për zhbllokimin e procesit të integrimeve euro-atlantike, është qëllim strategjik i Republikës së Maqedonisë.
Gjatë ditëve të kaluara, Këshilli Veri-Atlantik miratoi një vendim unanim për të pranuar pikën e ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke njoftuar ftesën e Maqedonisë për anëtarësim të plotë në NATO dhe vetëm pak ditë më vonë, Këshilli i Ministrave për Marrëdhëniet e Jashtme të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, vendosi që 19 qershori 2019, të jetë një datë e kushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në BE.
Njohësit e proceseve euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë, ekspertë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe diplomatë të tanishëm dhe të mëparshëm shtetërorë në prononcimin e tyre për Anadolu Agency (AA) flasin për rëndësinë e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për të zgjidhur kontestin për emrin, por edhe për perspektivat e Maqedonisë në një kontekst rajonal dhe global.
Stevo Pendarovski, koordinatori kombëtar për NATO-n në Maqedoni, ka folur për AA. Për rekomandimin nga Këshilli Evropian, më 19 qershor, si një datë e kushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, nëse vendi zbaton detyrat e nevojshme, thotë se është maksimumi që Maqedonia mund të ketë nxjerrë në këtë kontekst evropian dhe pohon se rekomandimi, gjegjësisht data e kushtëzuar për negociata është për arsye të brendshme politike në të gjithë BE-në.
Sipas tij, çështjet e numëruara për Maqedoninë janë shumë më të lehta për t’u përmbushur nga ajo që ka marrë Republika e Shqipërisë, sepse, siç thotë ai, për ta thuhet se duhet t’i çmontojnë strukturat kriminale.
Pendarovski thotë se pushteti aktual që nga fillimi i punës së saj me guxim ka hyrë në zgjidhjen e çështjeve madhore, siç është zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë, Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë, Ligji për avancimin e gjuhëve, janë një nga garancitë më të forta se Maqedonia me këto detyra me sukses do të ballafaqohet në periudhën e ardhshme.
Megjithatë, ai beson se strukturat e opozitës në vend deri në këtë pikë po punojnë për të penguar proceset e integrimit euro-atllantik. Sipas mendimit të tij opozita nuk është konstruktive.
Siç thekson Pendarovski, te një pjesë e strukturave të opozitës është e mundur të dëgjohen mendime se ndoshta mund të shkohet në një “bojkot të heshtur” në referendumin për Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë në një mënyrë që opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE simpatizantëve të saj do t’u thotë të votojnë ‘kundër’, por gjithashtu të mos dalin në referendum në mënyrë që të mos arrihet cenzusi.
– “Referendumi nuk është pika më e rëndësishme e Marrëveshjes me Greqinë”
Gjithashtu, Pendarovski shton se në momente kur zgjidhet kontesti për emrin, për të cilin thotë se është një problem unik në politikën botërore dhe në diplomacinë, secili nga aktorët politikë, si qeveria ashtu dhe opozita duhet të jenë në nivelin e detyrës.
“Objektivisht, në Marrëveshjen me Greqinë, referendumi nuk është pika më e rëndësishme e zbatimit të marrëveshjes, ndryshimet kushtetuese janë pika më e rëndësishme. Megjithatë, për shkak të domosdoshmërisë politike, ne duam të konsultohemi me qytetarët dhe çfarë të thonë qytetarët do të jetë definitive. Reagimet fillestare të shoqërisë, të etniteteve të ndryshme janë se referendumi do të kalojë sigurtë, me të gjitha përgjigjet e nevojshme”, tha Pendarovski.
“Unë ju vërtetoj se do të kemi shumicën edhe tek bashkësia etnike maqedonase për të cilën kjo marrëveshje kryesisht ka të bëjë, sepse ndër të tjera po flasim për emrin e bashkësisë etnike maqedonase, kemi disa dispozita mbi gjuhën dhe kombësinë e maqedonasve. Unë pretendoj se do të kemi shumicën, nëse nuk vazhdohet me pengesa të tilla në të cilat një pjesë e elektoratit të rëndësishëm do të detyrohet ose do të bindet që të mos marrë pjesë”, thotë Pendarovski.
Sipas tij, në rast se referendumi kalon dhe nëse opozita në parlament vendos të mos respektojë vullnetin e qytetarëve, vetë nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe, “bie në ujë” dhe, siç vlerëson ai, do të duhet të shkohet patjetër në zgjedhje të parakohshme në të cilat do të testohet legjitimiteti politik i secilit dhe përsëri të zgjidhet kjo çështje.
Për vendimin e presidentit Gjorge Ivanov për të mos nënshkruar Dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, i cili është ratifikuar nga deputetët në Kuvendin e Maqedonisë, Pendarovski tha se ishte diçka që mund të pritej.
“Unë pres që pasi të miratohet për herë të dytë Marrëveshja me Greqinë ai përsëri nuk do ta nënshkruajë atë, edhe pse është i obliguar me Kushtetutë, sepse ajo është vetëm pezulluese, nuk është një veto absolute. Pres që ai përsëri të mos e nënshkruajë dhe duhet patjetër të gjenden, siç themi ne, zgjidhje kreative politike”, thotë ai.
Lidhur me marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe partneritetin strategjik, koordinatori kombëtar i Maqedonisë për NATO-n, Pendarovski, thotë se është “e vështirë”, në përmbajtje asimetrike, siç ishte edhe vetë kontesti që nga fillimi, sepse, nuk negociohet për emrin e Greqisë, por për emrin e Maqedonisë.
“Marrëveshja është e vështirë, këtë e thotë edhe kryeministri Zaev. Ajo është një pilulë e hidhur që ne duhet ta gëlltisim, në interes të gjeneratave të ardhshme, në interes të këtyre gjeneratave, në interes të një perspektive më të mirë për Maqedoninë”, thotë Pendarovski.
Në prag të Samitit të NATO-s më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, Pendarovski rikujton Samitin e Bukureshtit të vitit 2008, si dhe përpjekjet e Turqisë dhe SHBA-ve që Maqedonia të pranohet nën referencën e përkohshme. Edhe në samitin e ardhshëm të NATO-s, Pendarovski pret mbështetje të pa rezervë nga Turqia.
“E dimë se do të marrim mbështetje maksimale. Unë e kam thënë disa herë edhe në atë që njihej për ne si Samiti i keq historik në Bukuresht në vitin 2008. Në atë kohë, kryeministri turk ishte më i zëshëm, përveç presidenti Bush, ishte më i zëshëm për atë që Maqedonia të pranohet nën referencën, të mos ketë nevojë për asnjë marrëveshje me Greqinë. Për Turqinë nuk kemi dilema për mënyrën se si do të sillet. Edhe në NATO dhe në çfarë do forumi tjetër ndërkombëtar, edhe në Kombet e Bashkuara (OKB), mbështetja e Turqisë ishte e palëkundur, e pakushtëzuar dhe e fuqishme. Ashtu do të jetë edhe tani”, potencon Pendarovski.
Ai gjithashtu sqaron se nën emrin kushtetues Republika e Maqedonisë, vendin e kanë njohur më shumë se 130 vende dhe nëse Marrëveshja me Greqinë kalon tre fazat e parapara në Maqedoni (ratifikimi, referendumi dhe ndryshimet kushtetuese) dhe nëse ratifikohet nga Parlamenti i Greqisë, në atë rast, Maqedonia do të jetë e detyruar të dërgojë letra në të gjitha vendet të cilat e kanë njohur në mënyrë bilaterale Republikën e Maqedonisë dhe t’u kërkojë atyre ta përdorin në të ardhmen emrin e ri sipas marrëveshjes së arritur.
Sa i përket Samitit në Bruksel, ai thotë se Maqedonia do të marrë ftesë nën emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. “Për t’iu thënë saktësisht, më 11 ose 12 korrik, varet nga axhenda, Maqedonia do të marrë ftesë nën emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, kjo është e njohur”, thotë Pendarovski, duke shtuar se beson se deri në fund të vitit 2019 Maqedonia do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.
Duke iu referuar aspiratave të Maqedonisë për anëtarësimin në NATO dhe efektet nga anëtarësimi i vendit në një aleancë të tillë, Pendarovski tha se ky do të ishte një faktor koheziv që bashkon shoqërinë multietnike në vend
“Projekti i vetëm strategjik në historinë e këtij vendi të vogël pas të cilit është një numër i madh i maqedonasve dhe shqiptarëve, turqve dhe boshnjakëve, serbëve dhe romëve dhe të gjithë të tjerëve është anëtarësimi në BE dhe NATO”, thotë Pendarovski.
– Marrëdhëniet ndëretnike janë boshti në të cilin mbështetet stabiliteti i Maqedonisë
Në të kundërtën, Pendarovski thotë se nëse vendi nuk do të bëhet pjesë e NATO-s, mund të vjen deri tek një situatë të pësojnë marrëdhëniet ndëretnike, për të cilat thotë se janë themeli më i rëndësishëm, boshti në të cilin qëndron stabiliteti i plotë i Maqedonisë.
Lidhur me rëndësinë e integrimit euroatlantik të Maqedonisë në një kontekst rajonal, Pendarovski thotë se ndryshe nga Maqedonia, ku qëllimet strategjike të vendit janë një faktor koheziv në shoqëri, anëtarësimi në NATO, i Bosnjë e Hercegovinës dhe disa vendeve të tjera në rajon nuk do të kishte një efekt të ngjashëm si në vend.
– Benefite nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO
Pendarvoski thotë se duhet të merret parasysh se NATO tani merret me forma të reja të kërcënimeve të sigurisë të tilla si luftërat kibernetike, luftërat hibride apo luftërat propagandistike, përfshirë lajmet e rreme. Të gjitha këto gjëra të përmendura janë prioritete aktuale të sigurisë.
Në këtë kuptim, përfitimet e anëtarësimit në aleancën si NATO, e cila ka 29 vende anëtare, të cilat kanë siç thotë ai, kanë aparate të mëdha të sigurisë, informata të inteligjencës me anë të të cilave shkëmbejnë informacione që mund të jenë të dobishme në aspektin e sigurisë në vendet anëtare si dhe të parandalojnë kërcënime të caktuara të sigurisë.
“Ka patur dy situata në të cilat partnerët tanë perëndimorë na dhanë informata të inteligjencës se disa persona të sigurisë kalojnë nëpër Maqedoni në një periudhë kohore të caktuar dhe mund të bëjnë problem në Maqedoni, si dhe një situatë në të cilën një i kthyer nga luftërat e Lindjes së Mesme, shtetas i yni, kishte për qëllim të shkojë në njërin nga vendet e Evropës Perëndimore dhe atje të krijojë problem sigurie”, thekson Pendarovski.
– “Maqedonia është shtyllë e rëndësishme për krahun jugor të NATO-s”
Shikuar në një këndvështrim ekonomik, thotë ai, analizat tregojnë se anëtarësimi në NATO i vendeve që u bashkuan që nga rënia e komunizmit e deri në pranimin e fundit të anëtarësimit të Malit të Zi, ka rritur rrjedhën e investimeve që prej vitit të parë të anëtarësimit në këtë aleancë.
Nga ana tjetër, çfarë do të jetë në interesin e organizatës siç është NATO, ta ketë Maqedoninë anëtare të saj, Pendarovski thotë se Maqedonia është shtyllë e rëndësishme për krahun jugor të NATO-s, e cila sipas tij, për ata është e rëndësishme ta përfundojnë projektin e krahut jugor, sepse siç shpjegon ai, është krejtësisht ndryshe kur ekziston një “vakum i sigurisë”, ndërsa me anëtarësimin e Maqedonisë ai vakum i sigurisë nuk do të ekzistonte, nuk do të kishte hapësirë të zbrazët në kuptimin e sigurisë.
– Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është një kontribut në stabilitetin rajonal
Pendarovski thekson se nuk mund të gjendet një ton joharmonik, nga çfarëdo vendi, nga qeveritë e atyre vendeve që thonë se Marrëveshja me Greqinë mund të ishte bërë më mirë ose se nuk ishte e nevojshme për Maqedoninë.
“Republika e Turqisë është një shembull i qartë. Ju i dini , t’i quaj ‘tensione’ historike midis Greqisë dhe Turqisë. Ne nga Turqia, nga zyrtarët e lartë turq, përfshirë edhe presidentin Erdoğan, nuk kemi deklarata që thonë ‘mos bëni marrëveshje, lëreni atë gjë më mirë të mos bëni marrëveshje. Jo, ata thonë ‘mezi presim edhe ju të jeni anëtare e NATO-s’, sepse ajo është kontribut i pamohueshëm në stabilitetin rajonal”, thotë Pendarovski.
I pyetur për të komentuar mbi marrëdhëniet bilaterale midis Maqedonisë dhe Turqisë, Pendarovski thotë se, “Gjatë 27 viteve të fundit, nga pavarësia jonë Turqia gjithmonë ka dhënë mbështetje të pakushtëzuar në cilindo institucion ndërkombëtar. Nuk thonte ‘ne do t’ju mbështesim, por kërkojmë një kthim’, asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Nëse bëhet një krahasim në kuptimin e partnerëve tanë strategjik, të tipit të tillë të mbështetjes standarde dhe të vazhdueshme, përfshirë edhe SHBA-të, Turqia me siguri është në krye të listës, e cila edhe më konsekuente se SHBA-të, në të gjitha këto vite ka dhënë mbështetje dhe nuk ka patur asnjë mendim nëse duhet apo jo të bëhet pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në Turqi”.
Për procedurën e pranimit të Marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, Pendarovski thotë se nuk ka kurrfarë procedura shtesë për miratimin e e marrëveshjes në OKB, por vetëm depozitimin e saj në arkivin e kësaj organizate.
Ai gjithashtu kujton se edhe Maqedonisë i ishte vendosur kusht shtesë për hyrje në OKB, në vitin 1993, për shkak të kundërshtimit të Greqisë, anëtare e OKB-së, e cila në atë kohë e bllokoi Maqedoninë.
– Ruzhin: Marrëveshja e Maqedonisë dhe Greqisë është sukses i gjithë Ballkanit
Nano Ruzhin, profesor universitar dhe ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, thotë se Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, vendit dhe rajonit do t’i sjellë shumë përfitime.
“Mendoj se është arritur sukses i madh diplomatik si për Maqedoninë ashtu edhe për Greqinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit, sepse u tregua gatishmëri, pjekuri, urtësi dhe udhëheqje për t’u tejkaluar një problem i cili në shikim të parë është banal, megjithatë në prapaskenë rrezikon edhe destabilizim. Sepse, nëse vazhdimisht mbeteni para integrimeve euro-atlantike, nuk jeni anëtare as e NATO-s, as e Bashkimit Evropian, vazhdimisht keni një fqinj që u bën pengesa të caktuara të çfarëdo natyre, atëherë, është e kuptueshme se kjo është një ditë e madhe për gjithë Ballkanin”, thekson Ruzhin, duke shtuar se përveç ndryshimit të emrit, marrëveshja ruan identitetin e të dy vendeve.
Përveç përkrahësve të Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë, ajo ka edhe kundërshtarët e saj, thotë profesori universitar, sipas të cilit, ndër të tjera, nëse analizohet sjellja e kundërshtarëve të marrëveshjes do të vërehet se në fakt është betejë e opozitës aktuale në Maqedoni për të devijuar opinionin publik me qëllim që sa më shpejtë të harrohen gabimet dhe lëshimet e saj në kohën kur ajo ishte në pushtet.
Ai shton se qeveria do të duhet të fillojë një fushatë të fortë për t’i nxjerrë në pah gjërat pozitive për anëtarësimin në NATO dhe BE, sepse siç thotë ai, përshtypja është se njerëzit nuk janë të informuar sa duhet për marrëveshjen.
I pyetur për zhvillimet e mëtejme në vend dhe rajon, nëse nuk kalon referendumi i cili nga Qeveria e Maqedonisë është paralajmëruar të mbahet në vjeshtë të këtij viti dhe në të cilin qytetarët do të tregojnë nëse janë ‘për’ apo ‘kundër’ marrëveshjes me Greqinë, Ruzhin thotë se kjo do të kishte ndikim negativ ndaj shtetit, qytetarëve dhe rajonit.
Për atë çfarë lloji i përkrahjes më 11 dhe 12 korrik Maqedonia do të ketë nga Turqia që njeh kushtetutën me emrin e saj dhe është një nga mbështetësit e saj më të mëdhenj të anëtarësimit në NATO, Ruzhin thotë se:
“Turqia, jo vetëm tani, por edhe që nga pavarësia e Maqedonisë deri më sot është një nga aleatët e saj më të mëdhenj të Maqedonisë, qoftë për integrimet evropiane apo euro-atlantike, qofshin ato ekonomike, sociale, kulturore dhe të gjitha llojet e bashkëpunimit. Prandaj, mendoj se Turqia me gëzim dhe kënaqësi të madhe do të pranojë që një aleat të jetë pjesë e një organizate të tillë siç është NATO”, thotë Ruzhin.
Lidhur me mundësinë që ndonjë vend anëtar i OKB-së të mos e pranojë Marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë, Ruzhin supozon se do të ketë një periudhë kalimtare brenda institucioneve ndërkombëtare, por thotë se së pari duhet të pritet referendumi, të bëhet ndryshimi i Kushtetutës, që më pas të flasë për këto elemente.
Ai thotë se vendet që janë parasëgjithash të mëdha, janë përgjegjëse para komunitetit ndërkombëtar dhe mendon se do ta mbështesin marrëveshjen sepse ata gjithashtu duhet të kujdesen për imazhin e tyre.
“Normalisht Rusia na sheh me simpati të madhe për apsiratat tona atlantike. Maqedonia nuk ka kufij të drejtpërdrejt, as nuk është më në lindje të Polonisë, Lituanisë dhe Bullgarisë. Maqedonia është në brendësi të Evropës, mund të ketë ndonjë keqkuptim, deklarata nga shkalla më e ulët, ‘ju jeni anëtare e NATO-s, ju jeni armiku ynë i mundshëm’, por në parim ato janë elemente aktuale”, thotë Ruzhin, duke shtuar se Rusia bashkëpunon edhe me anëtarë tjerë të NATO-s, pse jo edhe me Maqedoninë.
Lidhur me procedurën për t’u bërë anëtare e NATO-s, Ruzhin thekson se vendi kandidat së pari duhet të ftohet për t’u bashkuar dhe pastaj ka procedurë në pritje. Ai thotë se Maqedonia së pari duhet ta zbatojë Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit rreth emrit, duke shtuar se nëse vendi merr ftesë tani në korrik, deri në maj apo qershor të vitit të ardhshëm duhet të ketë status të plotë si anëtare e Aleancës.
Sipas mendimit të tij për fazat e zbatimit të marrëveshjes me Greqinë dhe pranimin e saj në OKB, procedura e përgjithshme e OKB-së patjetër të jetë epilogu përfundimtar.
I pyetur nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të votonte mbi Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë, Ruzhin thotë se, “Këshilli i Sigurimit mund të votojë, por mendoj edhe këtu do të kalojë ajo, sepse të dy palët janë dakord, nuk ka pengesë. Këshili i Sigurimit zakonisht voton kur ka ankesë, megjithatë mendoj se kjo do të kalojë lejtë në Këshillin e Sigurimit”.