Shkencëtarët kanë paralajmëruar për një valë të dëmeve në tru nga koronavirusi, pasi prova të reja kanë treguar se Covid-19 mund të sjellë ndërlikime të ashpra neurologjike, përfshirë inflamacion, psikozë dhe delir. Një studim nga Kolegji Universitar i Londrës (UCL), studioi 43 raste të pacientëve me Covid-19 që kishin pësuar mosfunksionim të përkohshëm të trurit, goditje në tru, dëmtim të nervit dhe pasoja serioze të tjera.
Hulumtimi vjen paralelisht me studime të tjera që kanë zbuluar gjithashtu se sëmundja mund të dëmtojë trurin. “Mbetet për të parë nëse do të ketë ndonjë epidemi në masë të dëmeve në tru të lidhura me koronavirusin, të ngjashëm me infeksionin e encefalitit letargjik që shpërtheu në vitet 20 dhe 30’, pas pandemisë së gripit spanjoll”, tha Michael Zandi, nga instituti i neurologjisë i kolegjit, bashkautor i studimit.
Covid-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, është kryesisht një sëmundje e aparatit të frymëmarrjes që prek mushkëritë, por shkencëtaret dhe specialistët e trurit, thonë se janë shfaqur prova shqetësuese të ndikimit në tru. “Problemi është se kemi miliona njerëz me Covid-19. Nëse në një periudhë 1-vjeçare kemi 10 milionë njerëz të shëruar dhe nëse këta kanë defiçite konjitive, atëherë kjo do të ndikojë tek aftësia e tyre në punë dhe aktiviteteve ditore”, tha Adrian Owen, neuroshkencëtar tek Universiteti Perëndimor i Kanadasë.
Në studimin e Kolegjit Universitar të Londrës, 9 pacientë që kanë pasur inflamacion të trurit, janë diagnostikuar me një sëmundje të rrallë të quajtur encefalomieliti akut i përhapur, që është më i theksuar tek fëmijët dhe shkaktohet nga infeksionet virale. Ekipi thotë se normalisht shihte 1 pacient të rritur në muaj me këtë sëmundje në klinikën në Londër, por tashmë kjo është rritur në të paktën 1 në javë gjatë periudhës studimore, diçka që ata e quajtën shqetësuese. Sipas tyre, duke marrë parasysh se sëmundja ka qenë në qarkullim për vetëm pak muaj, nuk dihen ende dëmet afat-gjata të Covid-19 dhe duhet kujdes tek efektet neurologjike.