Vjenë, 3 korrik – Grimcat radioaktive të regjistruara në Evropën Veriore javën e kaluar me shumë gjasë janë lëshuar nga ndonjë reaktor bërthamor, por origjina e tyre nuk është zbuluar ende, kumtoi sot Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (ANEB).
Vendet në rajon që kanë reaktorë, përfshirë Rusinë, deri më tani kanë mohuar çdo lidhje me radioaktivitetin.
Nivelet pak të ngritura të cesiumit dhe rutheniumit “ishin shumë të ulëta dhe nuk përbënin rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin jetësor”, kumtoi ANEB.
Agjencia thotë se emetimet e tilla mund të paraqiten si rezultat i funksionimit të një reaktori ose mirëmbajtjes së tij.
Estonia, Finlanda dhe Suedia regjistruan nivel të rritur të grimcave radioaktive javën e kaluar. Organizata Ndërkombëtare për ndalesën e provave bërthamore (CTBTO) në Vjenë po e monitoron gjithashtu lëvizjen e grimcave në Evropën Veriore dhe ka hartuar një hartë të disa vendeve nga të cilat grimcat radioaktive mund të përhapen.