Kryeministrja suedeze Magdalena Anderson deklaroi se nuk do të lejojë që vendi i saj të bëhet strehë për terroristë.
Deklarata e saj vijoi pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel dhe para fillimit të Samitit të Aleancës në Madrid, me qëllim që të marrë mbështetje nga Turqia për anëtarësimin e Suedisë.
“Qëndrimi ynë për Partinë Punëtore Kurde (PPK) është plotësisht i qartë, Për BE-në grupi është organizatë terroriste, me të cilën pajtohet edhe Suedia. Suedia nuk është dhe nuk do të jetë strehë për terroristët. Autoritetet intensivisht do të punojnë në dëbimin e atyre që mund të jenë kërcënim për sigurinë, ndërsa tashmë një numër i madh i rasteve për momentin po procesohen”, citoi Anderson.
Turqia e bllokon inkuadrimin e Suedisë dhe të Finlandës në NATO me arsyetim se u ofrojnë strehë ekstremistëve kurdë.