Një ndër çështjet më të nxehta të merkatos së janarit ishte largimi i Elseid Hysajt nga ekipi i Napolit. Flirtet me skuadrën e Chelsea-it, deklaratat e ashpra të menaxherit Giufredi dhe në fund… shumë zhurmë për asgjë. Shqiptari qëndroi me ekipin italian dhe duhet të luftojë për të fituar formacionin, pasi trajneri Carlo Ancelotti nuk e sheh më si lider të krahut të djathtë.
Në verë duket se Hysaj është emri i parë në listën e largimeve. “Don” Carlo nuk e do më dhe drejtuesit kanë ndërprerë bisedimet për rinovimin e kontratës. 25-vjeçari e ka të qartë se e ardhmja e tij do të jetë larg Napolit, ndoshta dhe Italisë me trajnerin Maurizio Sarri që e pret me krahë hapur në Angli.
Shqiptari nuk është i vetmi që do të largohet nga ekipi napolitan, sipas asaj që shkruan Tuttosport, pasi dhe sulmuesi Dries Mertens do të jetë larg Napolit. Ai ka ngacmime prej disa vitesh nga ekipet kineze dhe duket se tashmë është dorëzuar dhe do të shkojë në anën tjetër të botës, aty ku futbolli nuk ka vlerën e Serisë A, por paratë janë të dyfishuara, ose trefishuara.