Carlo Ancelotti kritikon futbollistët e tij, vetëm pak ditë para ndeshjes së parë çerekfinale të Europa League ndaj Arsenalit. Triumfi në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në Europë është objektivi i madh i të kaltërve në këtë sezon, por sjellja e skuadrës së tij në ndeshjen e fundit të Serie A ndaj Genoas nuk i ka pëlqyer aspak teknikut të Napolit i cili në konferencën për shtyp pas ndeshjes ka thumbuar repartin e mbrojtjes.
“Nuk mendoj se ndeshja ndaj Genoas ka qenë e kushtëzuar nga sfida që kemi në Europa League ndaj Arsenalit. Nuk kemi folur shumë për duelin ndaj topçinjëve gjatë javës së kaluar. E vërteta është që jemi mbrojtur shumë keq edhe kur ishim në superioritet numerik. U kemi lënë shumë hapësira sulmuesve kundërshtarë. Për fatin tonë te mirë kemi edhe 4 ditë kohë për t’u përgatitur për Arsenalin dhe gjërat mund të ndryshojnë, duhet të bëjmë më mirë në repartin difensiv pasi në rast të kundërt do të vuajmë shumë ndaj anglezëve”.
Më pas Ancelotti shkëputi një mendim edhe për Lorenzo Insignen për të cilin po flitet shumë për një largim të mundshëm nga Napoli në merkaton e kësaj vere.
“Lorenzo është shumë i rëndësishëm për ne, po pret me padurim sfidën ndaj Arsenalit, pasi ka dëshirë të luajë më shumë se 30 minuta. Të gjithë flasin për ofertat që vinë në drejtim të tij, por harrojnë që ne jemi Napoli dhe që duam të përforcojmë skuadrëm dhe jo të shesim lojtarët tanë më të mirë”.