Nëse Napoli do të jetë nesër po aq i qetë sa çfarë u shfaq Ancelotti sot në konferencë për shtym, atëherë do t’ia arrijë qëllimit për ndeshjen kundër Juventus-it. “Kjo është provë shumë e rëndësishme për ne, për të vlerësuar kohën tonë, sepse ne jemi një hap prapa dhe duam të konfirmohemi. Deri këtu ne kemi bërë ndeshje të mira, por të mos harrojmë që kemi pasur kalendar të komplikuar. Ne mund të përsërisim veten kundër një skuadre të madhe dhe mund të konkurrojmë deri në fund në të gjitha garat”.
Më tej Carlo Ancelotti foli dhe për objektivat sezonalë: “Ne duam të sjellim diçka në shtëpi këtë sezon, i kemi kushtet për ta bërë realitet, sepse kemi rritje në cilësi dhe ambienti është mjaft entuziast”.
“Unë kam mirënjohje pafund për Ronaldon, golat që bëri me Real-in kur unë drejtoja skuadrën bënë që së bashku të fitonim trofe. Mbi të gjitha kam mirënjohje për cilësitë njerëzore që ka treguar. Natyrisht që më kënaq ardhja e tij në Itali, jo për faktin se do të shihem shpesh me atë, por për faktin se futbolli ynë ka tashmë një vlerë të shtuar. Për mua, çdo vit ai e ka merituar “Topin e Artë”, por këtë herë më pëlqen më shumë Modric”.
Trajneri i Napoli-t foli dhe për rivalin e tij Allegri: “Max është trajner i madh, me aq shumë përvojë do ta ketë më të lehtë. Ka lojtarët më të mirë në dispozicion, plus që di se çfarë lojtarësh kemi në dispozicion dhe si kemi luajtur, natyrisht që futbolli nuk ka më sekrete. Ronaldo kundër Insigne? Jo kjo ndeshje do të jetë Juventus kundër Napoli-t, dy ekipe që përpiqen të mbizotërojnë në këtë lojë, fitoren ta gëzojë kush ta meritojë”.
Ancelotti në fund analizoi dhe rezultatin e mundshëm, por kërkoi më tepër përqendrim: “Kurrë nuk kam firmosur për barazim. Por mbi të gjitha nuk mendoj për rezultatin, po mendoj që të bëjmë një ndeshje të bukur dhe intensive. Dua që Napoli të shfaqet si në dy ndeshjet e fundit”.