Carlo Anceloti kishte marrë kontaktin e parë me realitetin e Evertonit të shtunën, në “Goodison”, ku ndoqi ndeshjen mes “Toffies” dhe Arsenalit, dhe tani e bën edhe zyrtarisht me prezantimin në kostumin e trajnerit të ri të Evertonit.
“Ëndërroj që ky klub të jetë në krye të Premier League-s, më pëlqen pasi ka ambicie dhe ide të qarta. Dua ta ndihmoj Evertonin të bëhet sërish kompetitiv”, u shpreh në fillim Ancelotti.
I buzëqeshur dhe në humor të mirë, Carlo Ancelotti iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve anglezë në lidhje me rivalitetin ndërqytetas me Liverpoolin, kampion i feskët i botës.
“T’i mposhtin nuk është një mision i pamundur, gjithsesi këtë do ta mësojmë shumë shpejt, në pesë janar është derbi i FA Cup”, vazhdoi ai.
Në stafin teknik do të jetë i biri, Davide, por do të mbetet edhe Duncan Ferguson, që udhëhoqi skuadrën pas shkarkimit të Marco Silvas. Sa u përket lojtarëve, Ancelotti synon të kthejë në nivele të larta Moise Kean.
“Jam i kënaqur që e gjej këtu, e doja që te Napoli. Ka cilësinë për t’u bërë një “top player”, duhet ta presim”.
Në fund, edhe një batutë për Zlatan Ibrahimovicin, që natyrisht te Evertoni do të ishte i mirëpritur.
“Jemi miq, nuk e di se çfarë dëshiron të bëjë pas eksperiencës në Amerikë. Ta marr në telefon? Po, ndoshta do ta bëj”, përfundoi Ancelotti.