James Rodriguez është objektivi madhor i merkatos së Napolit këtë verë, me Aurelio De Laurentiis që kërkon të kënaqë dëshirat e trajnerit Carlo Ancelotti, por misioni nuk duket aspak i thjeshtë.
Fantazisti kolumbian gëzon një raport të shkëlqyer me Ancelottin dhe i ka dhënë prioritet Napolit për këtë arsye, por së fundi në garë për shërbimet e tij është futur Atletico e Madridit, që ka joshur së tepërmi James.
Kjo pasi futbollistit i pëlqen shumë Madridi dhe jeta në kryeqytetin spanjoll, dhe për më tepër do të donte të sfidonte Realin si kundërshtar tashmë, ndaj u ka kërkuar menaxherëve të tij, që të konsiderojnë ofertën e “Los Colchoneros”.
Nga ana tjetër është vetë klubi i Realit që preferon më shumë ta shesë futbollistin te Napoli, sesa të forcojë Atleticon rivale, ndonëse këta të fundit janë të gatshëm të paguajnë 60 milionë eurot e kërkuara për kartonin e kolumbianit.
James Rodriguez u transferua te Reali i Madridit verën e 2014-ës, pas një botërori spektakolar me Kolumbinë, ndërsa qëndroi aty për 3 sezone dhe në 2017-ën iu bashkua Bayern Munchen në një huazim 2-vjeçar.
Tani fantazisti është kthyer në Madrid, por nuk bën pjesë në planet e Zinedine Zidane, ndaj është në kërkim të një tjetër destinacioni, por duhet të bëjë llogaritë me klubin e Realit, që nuk ka ndërmend ta shesë lirë.