Përveç një asfaltimi që është bërë në rrugën Tetovë-Jazhincë dhe një rikostruim të vogël në autostradën Shkup-Tetovë, edhe atë vetëm në njërin drejtim, investim tjetër në rajonin e Pollogut nuk është bërë
Urim HASIPI
Tetovë, 20 prill – Shumë akse rrugore në Maqedoninë Perëndimore vazhdojnë të anashkalohen nga pushteti qendror. Përveç një asfaltimi që është bërë në rrugën Tetovë-Jazhincë dhe një rikostruim të autostradës Shkup-Tetovë, edhe atë vetëm në njërën korsi, investim tjetër nuk është bërë. Megjithatë, edhe një pjesë tjetër e rrugës Tetovë-Jazhincë në hyrje të Tetovës respektivisht në lagjen Drenovec është mjaft e dëmtuar, shkruan gazeta KOHA.
Në ndërkohë, e dëmtuar mbetet edhe rruga Tetovë – Kodra e Diellit, kurse shumë fshatra brenda tyre kanë infrastrukturë të mjerueshme. Për këto akse rrugore janë paralajmëruar edhe rikostruime, por pa u caktuar ndonjë afat konkret. Po ashtu, në plan të Qeverisë, krahas këtyre rrugëve, është duke u shqyrtuar edhe kërkesa e tre komunave të Pollogut për rrugën Tetovë-Trebosh-Xhepçisht. Këtë e ka konfirmuar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, megjithëse nuk ka dhënë një datë konkrete.
“Pa dhënë ndonjë datë konkrete për shkak të fushatës, gjatë këtij viti në rajonin e Pollogut do të rikostruohen disa akse rrugore. Në kuadër të kësaj, me përmirësimin e kushteve klimatike, do të fillojë të rregullohet edhe aksi rrugor Tetovë-Kodra e Diellit”, tha ministri Bekteshi. Nga ana tjetër, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se infrastruktura rrugore është kriteri kryesor për zhvillimin e ekonomisë. “Në aspekt të infrastrukturës, është e vërtetë se vetëm njëri drejtim i autostradës Tetovë-Shkup është rikonstruktuar, ndërsa pjesa tjetër ka ngelur. Për ato projekte që ne i ndjekim si Odë, arsyetimi i Qeverisë ka qenë se projektet infrastrukturore që kanë qenë në realizim e sipër kanë pasur probleme teknike dhe juridike. Ajo çka mund të konsiderojmë pozitive është se Qeveria tani thotë që i ka rregulluar të gjitha problemet teknike dhe shpresojmë që këtë vit të kemi realizim të premtimeve, për faktin se Maqedonia ka dështuar në aspekt të investimeve kapitale”, tha Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Po ashtu, nga OEMVP-së pohojnë se lëvizje pozitive nuk ka as në realizimin e aksit rrugor Shkup-Bllacë, ndërsa nga ana tjetër, pala kosovare është duke e përfunduar autostradën Arbën Xhaferi. “Për fat të keq, vite me radhë nuk kemi patur lëvizje në këtë drejtim, në aspekt buxhetor diku 1 milion euro janë paraparë për rregullimin e ujërave dhe kanalizimeve në zonën e Vizbegut, mirëpo kjo është larg nga ajo që ne si komunitet i biznesit e kërkojmë, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se Qeveria e Kosovës, nga ana tjetër, është duke punuar me një tempo shumë të shpejt për ta përfunduar autostradën nga ana e tyre, kurse nga ana jonë këndej ngelim edhe shumë larg. Premtimet e Qeverisë janë se punohet në përpilimin e studimit të fizibilitetit mbi atë se si duhet të trasohet kjo rrugë dhe vlerësojmë se gjithçka bëhet me vonesë, për faktin se zona e Vizbegut, si Zonë ekonomike është ndër zonat që është shumë profitabile. Ne këtë vit, si Odë kemi promovuar edhe një studim mbi potencialin ekonomik që ka zona e Vizbegut, dhe kjo zonë sipas parashikimeve që kemi bërë, kontribuon me 3.5 për qind në BPV të Maqedonisë, dhe është një zonë shumë rentabile në aspekt ekonomik dhe është dëshmi se një zonë e tillë funksionon në saje të kapaciteteve pa asnjë përkrahje institucionale”, tha Iseni. (koha.mk)