Nga Bajram SELMANI
Kryetari i shteti para dilemës, të ndajë mandatin për mandatarin qeveritar e të filloi të zgjidhet kriza politike që ka përfshirë vendin, ose ende të mos e ndajë e të vazhdoi agonia e krizës politike. Lajtmotivi për obstruksionin e shumicës parlamentare si për “Koalicionin për Maqedoninë” ashtu edhe për kryetarin, ishte shpifja e ashtuquajtur “platformë e Tiranës”. Në ndërkohë, bisedimet me ndërkombëtarët, veçmas përfaqësuesit e ShBA-ve, ndryshuan qëndrimin si për formimin e qeverisë dhe të ashtuquajturës platformë. Ndërkaq, tanimë kemi kryetarin e ri të parlamentit, i zgjedhur me procedurë të rregullt ose “jo të rregullt”; ai u zgjodh me shumicë votash, të deputetëve që përbëjnë shumicën parlamentare. Më së shumti me këtë nuk patohet ai, që tanimë nuk është kryeparlamentar, por që është vetëm një anëtar i parlamentit, si të gjithë njëqind e nëntëmbëdhjetë të tjerë.
Huliganët, rrugaçët e vrasësit, nuk e kanë vendin as afër, e jo më në parlament. Ndërsa ai që i mbron ata është edhe më huligan, edhe më vrasës. Me ta më nuk bisedohet për shumicë ose pakicë parlamentare, e as ç’është fituesi e humbësi ose humbësi i zgjedhjeve. Ai që i konteston zgjedhjet dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit, ai është anarkist i llojit të populizmit, që mohon organizimin politik dhe e mohon shtetin. Ai që nuk e dënon anarkizmin, është më i keq se anarkist, ai është terrorist. Edhe “teoricienë” e “publicistë” që i bëjnë obstruksion demokracisë, janë me anarkistët, ani pse shtirën si pro-ligjshmërisë, demokracisë e opozitës që janë një lloj njeriu puritan, që për disa minuta synojnë të rehabilitojnë “masën protestuese” të Maqedonisë si revoltuese e hidhëruar. Ata janë një vjetërsie dhe që moti duhet të shkonin te televizionet mercenare në shërbim të anarkizmit e korrupsionit, që brenda pak çastesh fillojnë të luajnë rolin e Nënë Terezës, si humanistë, legalistë e çfarë jo tjetër. Krejt në shërbim të anarkizmit e servilizmit.
Partia uzurpuese e institucioneve të shtetit synon t’i mbajë e formojë institucionet në mënyrë ilegjitime. Ndërkaq, ajo nuk e fitoi as besimin e një partie të vetme tjetër parlamentare, e cila do ta ndihmonte që të mbledhë numrin e duhur të deputetëve për të konsistuar parlamentin e formuar qeverinë. Me këtë numër të deputetëve, nuk mund të formojë qeveri, ani pse tërë kohës në mënyrë jo legjitime kryesoi me parlamentin. Për më tepër, në bazë të numrave të deputetëve as nuk mund ta ndalojë konstituimin e parlamentit dhe tanimë as formimin e qeverisë. Nëse nuk merret parasysh një mënyrë e vetme: rruga dhe anarkizmi. Partia në pushte nuk e do Maqedoninë, në emër të së cilës aq shumë thirret, ajo e donë pushtetin e saj, prej të cilit tani e sa kohë i ka shfrytëzuar dhe keqpërdorë privilegjet që dalin prej tij. Ajo e do plaçkën, jo përgjegjësinë. Ajo i do paratë e tagrapaguesve e jo tagrapaguesit. Ajo martirizohet për të mirat materiale e jo për patriotizmin që se heq prej goje. Thirret në emrin e qytetarëve, por të tillët i llogarit ata që për çdo ditë i shohim në rrugë, që shpifin gjëra të paqena, që abuzojnë me lirinë e fjalës, duke nxitur shovinizëm e terrorizëm, duke minimizuar vlerën e institucioneve shtetërore: parlamentit, qeverisë e institucioneve të tyre. Kjo u pa më së miri natën e 27 prillit, se me sa urrejtje ju vërsulën përfaqësuesve të vullnetit të qytetarëve. Nuk ishin më shumë se treqind-katërqind vetë, por ishin aq “shumë të zemëruar”, sa çdo gjë me hollësi e kishin planifikuar që të ndihmuar prej “keqpërdoruesve të detyrës”, duke ua hapur dyert e parlamentit dhe të tjerëve që me petkun e shteti bënin sehir, me shtetin, bukën e të cilit e hanin. Ka një pyetje: partia në “pushtet” pas gjithë kësaj, si mendon se mund të qeverisë: duke e suprimuar parlamentin-qeverinë prej rrugës?! Dhe sa herë që t’i kujtohet të hyjnë në parlament dhe t’i dhunojë deputetët që nuk janë të një mendje me rrugën e me vandalizmin e duke dezavuuar çdo formë të sanksionimit ligjor. Këtë më askush nuk do ta lejojë: nuk do ta lejojnë të terrorizohen dhe dhunohen deputetët e parlamenti, sado që përllogarit të bëhen me metoda stalinizmi e neostalinizimi, si formë e anarkizmit. Ndërkaq, qendrat vendimmarrëse të politikës botërore, kryetarin e ri të parlamentit kanë filluar ta përshëndesin njohin, duke krijuar optimizëm se situata në shtetin tonë do të merr drejtimin e funksionimit të institucioneve, sigurimin e rendit të paqes si dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve. Banorëve-qytetarëve të Maqedonisë, për mbi të gjitha, kjo ju intereson, jo shpifja e platformave, jo insinuatat e denigrimi i oponentëve, jo anarkizmi. Jeta duhet të vazhdoi e të frymojnë lirë qytetarët. (koha.mk)