ANARKIA EKOLOGJIKE. Policia urbane, nevojë e kohës

24

Zgjerimi dhe ndërtimi i pakontrolluar i qytetit të Shkupit, në vazhdimësi ka ndikuar në zvogëlimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. Prezenca e automjeteve në trafik llogaritet si njëri faktorëve kryesore të ndotjes së ajrit. Për ti dhënë fund këtyre dhe shumë dukurive tjera negative, aktivistët qytetar e vlerësojnë të patjetërsueshme themelimin e Policisë Komunale

Omer XHAFERI

Shkup, 27 maj – Kaosi urban në Shkup, me theks të veçantë kujdesi ndaj ambientit jetësor dhe rruajtja e hapësirave të gjelbra mund të rregullohet vetëm me ekzistimin e një strukture organizative siç është Policia Komunale (Bashkiake). Aktivisti qytetar Fari Hiseni, për gazetën KOHA, shprehet se loja që e luajnë institucionet dhe ndërmarrjet publike, me hedhjen e përgjegjësisë te njëra tjetra, për problemet komunale në Shkup, mund të përfundoj me themelimin e një organi i cili do të sanksiononte këto dukuri devijuese ekologjike.

PA GJOBA NUK RUHET AMBIENTI

“Kur ta institucionalizojmë këtë organ, kur ta kemi një organ konkrete i cili e ka fushëveprim ruajtjen e gjelbërimit, e ka fushëveprimin mos uzurpimin e pronave publike, çlirimin e trotuareve atëherë mund të përmirësohet situata aktuale. Kjo është mbi të gjitha një problem nacional, jo vetëm lokal. Besoj se policia e komunal është një organ i nevojshëm në mesin tonë dhe do të dikon në ngritjen e vetëdijes te qytetarët, gjegjësisht gjobitjen  e atyre qytetarëve që bëjnë shkatërrimin e gjelbërimit, dëmtimit të të mirës publike e kështu me radhë”, tha Hiseni.
Ambientalistët kur raportojnë për mënyrat se si duhet të ruhen dhe mirëmbahen hapësirat e gjelbra nëpër qytete, thonë se gjatë dhënies së lejeve për ndërtime dhe planifikimeve urbanistike, autoritet lokale duhet të kenë prioritet kualitetin jetesës së qytetarëve, dhe jo përfitimet. Elena Nikollovska, nga shoqata ekologjike “Eko-Svest”, thotë edhe pse ka ligj për gjelbërim urban, ai në praktikë fare nuk zbatohet (respektohet).

“Problemi qëndron se Qyteti i Shkupit, po edhe në përgjithësi shteti disponon me numër të vogël të inspektorëve dhe rojtarëve komunal, të cilët në asnjë mënyrë nuk mund të reagojnë në kohë. Numri i tyre gjithsesi se duhet të rritet. Për momentin ata kanë kompetenca vetëm të japin vërejtje dhe shqiptojnë gjoba për kompetenca të fushës së tyre. Mirëpo, pasi janë pak ata nuk mund të reagojnë shpejtë, apo frikësohen, ose janë nën kërcënimet e qytetarëve që duhet ti gjobisin. Vlerësoj se duhet të kenë gjobitje jo selektive. Mendoj se na nevojitet edukim i vazhdueshëm të qytetarëve për problemet komunale”, thotë ekologjistja Elena.
Policia Komunale në Shkup është domosdoshmëri, ashtu siç është edhe të gjithë rajonin rreth nesh. Kështu vlerëson Valbon Limani, nga Organizta jo qeveritare “ECDTC”, i cili shton se Policia Komunale në Shkup, duhet të veproj ngjashëm si ajo në Tiranë, e cila ekziston ndër vite.
“Në bazë të kompetencave që kjo polici mund ti ketë  besoj se do të ketë impakt pozitiv në ruajtjen e mjedisit jetësor, ruajtjes së hapësirave të gjelbra. Nëpërmjet kësaj policie mendoj se do të bëhet kontrolle më të rrepta që i mungojnë qytetit të Shkupi. Mendoj se më rëndësi është themelimi i një organi të tillë pasi në këtë mënyrë do të këtë kontroll më të lartë të hedhjes së mbeturinave, uzurpimit të hapësirave publike e kështu me radhë”, tha Valbon Limani, nga Organizata jo qeveritare “ECDTC”.
Zgjerimi dhe ndërtimi i pakontrolluar i qytetit të Shkupit, në vazhdimësi ka ndikuar në zvogëlimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. Prezenca e automjeteve në trafik llogaritet si njëri faktorëve kryesore të ndotjes së ajrit. Uzurpimi, dëmtimi dhe shkatërrimi i të mirës publike në Shkup, gati se është bërë përditshmëri. Të ballafaquar me këtë “anarki” urbane, aktivistët  mendojnë se zgjidhja përfundimtare do të jetë themelimi i një Policie Komunale.

NË SHTATOR-TETOR THEMELOHET POLICIA KOMUNALE

Qyteti i Shkupit zyrtarisht në shkurt-mars të këtij viti para disa ministrive e ka dorëzuar iniciativën për themelimin e Policisë Komunale në kryeqytet. Shefi i inspektoratit të Qytetit të Shkupit, Mirosllav Bogdanovski, për gazetën KOHA, tha se punët po ecin sipas dinamikës së parashikuar dhe se në shtator-tetor të këtij viti Shkupit mund të ketë Polici Komunale.
“Policia Komunale do të jetë e furnizuar shufra, me shenja për stop dhe do të ketë të drejtë legjitimimi. Një pjesë e kompetencave që i ka MPB do ti ketë edhe Policia Komunale. Kompetencat e tyre kryesisht do të jenë për problemet me të cilat ballafaqohet qyteti, duke filluar nga hedhja e mbetjeve inerte, ndërtimet e jashtëligjshme,vendosja dhe shitja në vende publike pa leje. Gjithsesi do të ketë të drejtë sanksionimi për parkim të jashtëligjshëm apo dëmtim gjelbërimit”, tha Bogdanovski.
Deri më tani dritë jeshile për themelimin e këtij organi të Qytetit të Shkupit, kanë dhënë Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Në periudhën që vijon mendimin e tyre pritet ta japin edhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, dhe ajo e Ambientit jetësor.
Numri i plotë i Policëve Komunale, (të cilat do të jenë nën monitorimin e plotë të Inspektoratit të Qytetit të Shkupit) pritet të 120 anëtar, me çka synohet që fillimisht të angazhohen 35 polic komunal dhe pjesa tjetër të plotësohet me kalimin e kohës.
Nevojën për themelimin e një strukturë të tillë muaj më parë e theksuan edhe nga njësia e zjarrfikësve, të cilët thanë se për tre muajt e parë të vitit, në Shkup e rrethinë janë regjistruar mbi 500 zjarre.
Megjithatë, funksionimi i tyre në praktikë mbetet të shihet sa do të jetë efektive. Pengesa më të mëdha pritet të kenë në rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, pasi që Qyteti i Shkupi, nuk disponon me inspektorë të ndërtimtarisë, gjegjësisht kompetencë e tyre është vetëm konstatim i objekteve të ndërtuara pa leje. Dispozitat e ligjit për pushtetin lokal të drejtë rrënimi të objekteve pa leje u mundësojnë vetëm komunave.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës nga interesi publik për ambientin jetësor më të mirë “Mos injoro! Reago!”, i realizuar nga Instituti për Studime Elektronike dhe i mbështetur nga Ambasada e Britanisë Madhe në Shkup)