Shkup, 2 korrik – Duhet analizë e thellë, serioze që të përcaktohet nëse është i mundur rishikim i Vendimit prej vitit 1993 lidhur me lëshimin e vizave për pelegrinazh, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Duke iu përgjigjur deputetit Muhamed Zeqiri, Spasovski sqaroi se Vendimi është sjellë për shkak të reciprocitetit ndërkombëtar, mbrojtjen e sigurisë së RM-së, por edhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve të cilët udhëtojnë në Arabinë Saudite.
Për të gjitha udhëtimet për pelegrinazh, potencoi Spasovski, pavarësisht nëse organizohen nga BFI, KOM apo ndonjë bashkësi tjetër fetare, dispozitat e Ligjit për dokumente udhëtimi, duhet të respektohen.
“Çdo vit para një udhëtimi për pelegrinazh, organizohet takim koordinues midis inspektoratit sanitar të shëndetësisë, MPB-së, Doganës, Aeroportit dhe BFI-së. Në këtë takim prezentohet numri i personave të interesuar të cilët dëshirojnë të shkojnë të bëjnë pelegrinazhin dhe në bazë të asaj lëshohen vizat. Por, para asaj, është nevojshme, këta persona të kenë viza hyrëse nga Arabia Saudite”, sqaroi ministri.
Vetëm grupet me minimum 40 persona, shtoi, mund të shkojnë së bashku në udhëtim, ndërsa secili duhet të ketë të paktën një mjek me pajisjen mjekësore përkatëse, si dhe personat ta pranojnë vaksinën përkatëse.
Personat, të cilët kthehen nga pelegrinazhi, nuk guxojnë të fusin ujë apo ushqim në Maqedoni.
Zeqiri paraprakisht, duke e parashtruar pyetjen për deputetë, akuzoi se kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi i keqpërdor, siç tha, vizat për pelegrinët.