Nju Delhi, 19 tetor – Të paktën gjysma e 1.3 miliardë të banorëve të Indisë me shumë gjasaë do të infektohen me koronavirusin e ri deri në shkurt të vitit 2021. Këtë e publikoi një anëtar i komisionit qeveritar përgjegjës për parashikimin e përhapjes së virusit.
India është vendi i dytë në botë pas SHBA-së me më së shumti raste të të infektuarve me koronavirus – rreth 7.5 milionë. Por, rastet e reja po bien në Indi pas kulmit në mes të shtatorit. Çdo ditë raportohen mesatarisht nga 61,390 raste.
“Modeli ynë matematikor tregon se rreth 30 për qind e popullsisë aktualisht është e infektuar dhe mund të rritet në 50 për qind deri në shkurt”, tha Manindra Agraval, profesor në Institutin e Teknologjisë në Kanpur dhe një anëtar i komisionit.
Komisioni vlerëson se shumë më tepër njerëz u infektuan sesa tregoi sondazhi i qeverisë në shtator se 14 për qind e banorëve të Indisë janë infektuar me virusin. Komisioni përbëhet nga virologë, shkencëtarë dhe ekspertë të tjerë që mbështeten në një model matematikor që i merr parasysh rastet që nuk janë konfirmuar nga testimi.
Ata paralajmërojnë se të infektuarit mund të rriten në 2.6 milionë në muaj nëse nuk respektohen masat të tilla si distanca sociale dhe mbajtja e maskës. Ekspertët paralajmërojnë se rastet mund të rriten përsëri me afrimin e sezonit të festave dhe festivaleve.