Hulumtuesit e Warwick dhe të tjerë nga Universiteti i Birminghamit zhvilluan algoritme të inteligjencës artificiale për ta dalluar ASD-në, duke konstatuar se kishin saktësi prej 90 për qind tek ata që ishin diagnostikuar me autizëm dhe saktësi prej 87 për qind tek ata pa diagnozë
Studiuesit britanikë besojnë se i kanë zhvilluar analizat e para të gjakut dhe urinës të cilat mund t’i konfirmojnë çrregullimet e spektrit të autizmit tek fëmijët.
Një në 68 fëmijë janë identifikuar me një formë të ASD, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në vitin 2014. Spektri i gjerë i problemeve me sjelljen përfshin vështirësi në komunikimin dhe bashkëveprimin me të tjerët, sjelljet e përsëritura dhe interesat ose aktivitetet e kufizuara.
Mjekët e diagnostikojnë ASD-në në dy vitet e para të jetës duke e shikuar sjelljen dhe zhvillimin e fëmijës, por nuk kanë pasur analizë të gjakut ose urinës për t’i konfirmuar diagnozat e tyre.
“Zbulimi ynë mund të çojë në diagnozën dhe ndërhyrjen e hershme,” tha në një njoftim për shtyp dr. Naila Rabbani, studiuese e biologjisë së sistemeve eksperimentale në Universitetin e Warwick. “Ne shpresojmë që testet do të zbulojnë edhe faktorë të rinj shkaktues. Me testime të mëtejshme mund t’i zbulojmë profilet specifike të plazmës dhe urinës ose “shenjat e gishtërinjve” të përbërjeve me modifikime dëmtuese. Kjo mund të na ndihmojë ta përmirësojmë diagnostikimin e ASD dhe t’i identifikojmë shkaqet e reja të ASD.”
Për studimin, e publikuar në revistën Molecular Autism, hulumtuesit i rekrutuan fëmijët ndërmjet moshës 5 dhe 12 vjeç. Tridhjetë e tetë fëmijë – 29 djem dhe nëntë vajza – u diagnostikuan me ASD, dhe një grup kontrolli prej 31 fëmijëve – 23 djem dhe tetë vajza – nuk e kishin këtë diagnozë.
Studiuesit e Warwick zbuluan dallime kimike midis dy grupeve. Ata zbuluan se fëmijët me ASD kishin nivele më të larta të markerit oksidues ditirozinës dhe disa përbërës të modifikuar me sheqer të quajtur “produkte të avancuara endokrine të glikacionit” në proteinë.
Hulumtuesit e Warwick dhe të tjerë nga Universiteti i Birminghamit zhvilluan algoritme të inteligjencës artificiale për ta dalluar ASD-në, duke konstatuar se kishin saktësi prej 90 për qind tek ata që ishin diagnostikuar me autizëm dhe saktësi prej 87 për qind tek ata pa diagnozë.
“Testi ynë pritet ta përmirësojë saktësinë e diagnozës së ASD nga 60-70 për qind sa është arritur aktualisht nga ekspertë të çrregullimeve neurologjike deri në saktësinë prej rreth 90 për qind dhe potencialisht të ofrohet në të gjitha spitalet e pajisura me ose pa ekspertizë të nivelit të lartë në çrregullimet neurologjike”, tha Rabbani për Gizmodo.
Studiuesit thanë se planifikojnë ta përsërisin studimin me grupet e tjera të fëmijëve, duke përfshirë vlerësimin nëse analiza mund ta identifikojë ASD tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç.