Nevoja për venting në sistemin e drejtësisë në vend është diskutuar disa herë, por pas rastit “Zhvatja”, ku dyshohet të jetë e implikuar edhe prokurorja speciale, Katica Janeva, duket se vetingu është i domosdoshëm, vlerësojnë ekspertët. Sipas profesorit universitar, Bashkim Selmani, paaftësia e individit është treguar tek ndikimi partiak, afërsia farefisnore, rreziqet, kërcënimet dhe afërsia shumë e ngushtë mes partive politike dhe gjyqësorit, që e mbajnë peng njëra-tjetrën. Sipas tij, ky zinxhir mund të shkëputet vetëm përmes një trupi që do të realizonte vetingun me ekspertë ndërkombëtarë.
“Do të ishte një veting dhe do të jetë i mirëseardhur për të gjitha institucionet, por pse ajo mos të fillojë që nga partitë politike deri tek gjyqësori, sepse në Maqedoni vetë autorët politikë e mbajnë peng gjyqësorin dhe gjyqësori i mban pengë politikanët. Ju e shihni se shumë dosje të politikanëve nuk zgjidhen dhe rrinë nëpër sirtarë dhe kjo nënkupton se këtu ka një relacion të afërt mes politikanëve dhe gjyqësorit, dhe nëse nuk shkëputet ky zinxhir mes tyre, nuk ka kush t’i shkëput ato nga brenda, sepse ato çdoherë manipulohen. Prandaj do të ishte mirë që vetingu të kryhet nga faktori ndërkombëtar, me standarde ndërkombëtare, e cila nuk do të kishte mundësi për ndikim politik apo korruptiv”, theksoi për MTV2, analisti politik, Bashkim Selmani, transmeton Koha.mk
Selmani po ashtu e vlerësoi si gabim të rëndë veprimin e kryeministrit Zaev për falje, apo pajtim mes individëve të cilët kanë kryer krim në të kaluarën.
“Vetë kjo Qeveri hapin e parë që bëri gabim dhe që u dorëzua përballë krimit ishte pajtimi, apo nocioni i panjohur në aspektin juridik dhe kjo dëshmoi dhe rezultoi me bllokimin e të gjitha institucioneve në Republikën e Maqedonisë. Dhe me të gjitha mundësitë që ka treguar Maqedonia deri më tani është treguar e paaftë, jo e paaftë për nga individua, por është treguar e paaftë në aspektin politik për t’i zgjidhur problemet”, tha analisti politik, Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit, pas ndodhive të cilat ishin antikushtetuese, anti-gjyqësore, anti-etike, por edhe anti-ndërkombëtare, tani Maqedonia po përballet me një sfidë problematike, ku të gjitha institucionet janë dëshmuar si të paafta për t’u përballur me krimin e organizuar, të cilin mund ta quajmë edhe krim të organizuar politik, që vuri në pikëpyetje vet sistemin e drejtësisë dhe sigurisë së shtetit. (koha.mk)