Shkup, 27 janar – Në një vend ku nuk ka qeverisje stabile, ku nuk ka harmoni mes pozitës dhe opozitës, ku ka gjithmonë protesta apo trazira, është një mesazh se kompanitë e huaja nuk janë të mirëseardhura, kështu vlerësojnë për Radio Evropa e Lirë, njohësit e çështjeve ekonomike duke shtuar se pa stabilitet politik nuk mund të ketë sukses as ekonomia, transmeton Koha.mk
“Në një vend ku nuk ka qeverisje stabile, ku nuk ka harmoni mes pozitës dhe opozitës, ku ka gjithmonë protesta apo trazira, është një mesazh se kompanitë e huaja nuk janë të mirëseardhura. Prandaj, unë nuk e di se ku e merr këtë optimizëm kryeministri kur thotë se do të ketë zhvillim. Unë vlerësoj se këto janë mesazhe parazgjedhore, se sa që mund të jenë të reale, edhe pse do të kisha pasur dëshirë që për herë të parë të jem gabim”, vlerëson Visar Ademi, njohës i çështjeve të ekonomisë.
Ai thekson se shteti, në vend të zhvillimit ekonomik të premtuar nga kryeministri, sërish do të përballet me krizë politike nëse nuk do të pranohet kërkesa e opozitës për zgjedhje, pasi në këtë rast do të ketë bojkote dhe rrjedhimisht ngecje të mëtejme në ekonomi.
“Pas zgjidhjes së kontestit të emrit, çështja kryesore do të duhej të ishte zhvillimi ekonomik, mirëqenia qytetare, krijimi i vendeve të reja të punës, sepse neve na largohen njerëz, na largohen të rinj, por mendoj se përsëri ne, në vitin 2019 do të kemi ngufatje të institucioneve”, thekson Ademi.
Përndryshe Maqedonia është një nga vendet me rritje të ulët të ekonomisë në rajon dhe me një pagë mesatare që sillet në rreth 400 euro. Për shkak të krizës politike ka pasur shumë pak investime të huaja, si dhe pengesa tjera që kanë çuar në një rritje të vogël ekonomike në më pak se tre për qind aq sa pritet të jetë edhe në vitin 2019. (koha.mk)