ANALISTËT: Java e parë e fushatës presidenciale, relativisht korrekte dhe brenda normave

Shkup, 9 prill – Kandidatët presidencialë zhvillojnë një fushatë relativisht korrekte dhe të sjellshme dhe në pjesën e deritanishme i përmbahen Kodeksit të nënshkruar për zgjedhje korrekte dhe demokratike, konsiderojnë analistët politikë. Presin rritje të ritmit të fushatës gjatë javës që vjen dhe kandidatët t’i kristalizojnë qëndrimet që votuesit të mund t’i dallojnë në mënyrë të qartë.

Kishte thumbime, vërejtje, provokime, por nuk kishte goditje të ulëta mes tyre. Ndonëse kishte elektrizim te Pendarovski dhe Siljanovska-Davkova, megjithatë dueli i parë televiziv kaloi relativisht i qetë, me shtrëngim të ndërsjellë të duarve dhe përshëndetje të tre kandidatëve në fund të përballjes.

Analisti politik Albert Musliu konsideron se kandidatët mbahen shumë mirë në fushatën e deritanishme.

“Niveli i këtyre zgjedhjeve nuk është ashtu siç e dimë se mund të jetë. Nuk përdorin goditje aq të ulëta, siç jemi mësuar, megjithatë ky është grup i profesorëve kandidatë”, deklaroi Musliu.

Sipas analistit politik Petar Arsovski, kandidatët në përgjithësi i përmbahen nivelit të fushatës korrekte dhe demokratike, me disa përjashtime për sulme „Ad hominem“, mirëpo momentalisht kjo nuk është aq e tmerrshme.

“Mendoj se fushata rrjedh nëpër binarë të mirësjelljes. Ka më shumë debate, qytetarët kanë mundësi t’i shikojnë kandidatët drejtpërdrejt, ashtu që në këtë moment, mendoj se kjo pjesë nuk është problematike”, deklaroi Arsovski.

Kandidatë mbipartiakë “të robëruar” në agjendat e partive politike

Kandidatët presidencial, ndonëse paralajmëroheshin si mbipartiak dhe konsensual, sipas analistëve nuk kanë arritur të largohen nga agjenda politike e partive dhe se porositë i kanë në përputhje me qëndrimet e partive politike që i mbështesin.

Sipas Arsovskit, kandidatët prezantojnë vetveten si mbipartiak, mirëpo në esencë ata i zgjedhë kongresi partiak, dhe në këtë drejtim, bën të ditur se, më shumë bëhet fjalë për njëfarë përzierje mes pozicionit të tyre të kandidati presidencial dhe faktit që partitë i kandidojnë.

Musliu, bën të ditur se ndonëse tre kandidatët mundohen të paraqiten si mbipartiak meqë duan të marrin edhe një pjesë të votave të papërcaktuara, këtë nuk mund ta shikojë në paraqitjet e tyre.

” Pendarovski është me porosinë “Së bashku përpara” dhe me të u bën thirrje të gjitha bashkësive etnike, që është porosi dukshëm e njëjtë me sloganin “Jetë për të gjithë”. Siljanovska- Davkova është në vijën e qëndrimeve të VMRO-DPMNE-së edhe për Marrëveshjen e Prespës edhe për funksionalitetin e Qeverisë. Nuk ka këtu ndonjë dallim dhe nuk shikoj ku dallohet. Reka, ndoshta mundohet të jetë mbipartiak, por edhe ai është në kuadër të dy partive që e mbështesin, shprehet Musliu.

Mediat sociale në përgjithësi dominojnë në fushatat

Mediat sociale në përgjithësi dominojnë në fushatën e kandidatëve presidencial, mirëpo nuk mungon edhe përdorimi i kulaqit nga shteti për udhëheqjen e fushatës. Shprehin vërejtje se Gordana Siljanovska dhe Blerim Reka udhëheqin më shumë fushatë konvencionale me tribuna dhe takime klasike me qytetarë, derisa te Stevo Pendarovski mund të shihet mënyrë e re me më shumë bashkëveprim.

Arsovski, si media të preferuar të komunikimit te secili prej kandidatëve i përmend mediat sociale.

“Mund të themi se Reka është pak më i pranishëm në mediat tradicionale, mirëpo në përgjithësi mediat sociale dominojnë në fushatat e kandidatëve presidencialë”, shprehet Arsovski.

Me reklamat televizive, bën të ditur Musliu, asnjëri kandidat nuk do të huq meqë tjetërkush i pastron hesapet.

“Shikoj se, madje edhe kandidati i VMRO-DPMNE-së është në mediat shqiptare dhe Reka është te mediat në gjuhën maqedonase. Siljanovska-Davkova dhe Reka shkojnë në atë mënyrën klasike, përmes tribunave, derisa Pendarovski shkon me mënyrën e re para publikut dhe komunikon me ta. E pamë se nuk preferon debate, do të shohim në javën e dytë si do të sillen”, deklaroi Musliu

Kandidatët duhet t’i kristalizojnë porositë

Ekspertët presin rritje të ritmit të fushatës në javën në vijim, veçanërisht kur partitë politike do të imponojnë narrativin pushtet-opozitë dhe fitues-humbës. Tre kandidatët do të duhet t’i sqarojnë qëndrimet lidhur me disa çështje të caktuara dhe me këtë distancohen qartë para votuesve në debatet e radhës.

Kandidatët gjatë periudhës së ardhshme, sipas Arsovskit, duhet pak më shumë të fokusohen në integrimet e tyre, meqë tani për tani janë të fokusuar shumë në situatën e përgjithshme politike.

“Gordana Siljanovska ka problem me narrativin e partisë personale dhe me faktin që ata nuk kanë kurrfarë plani se ku do të kishin lëvizur, kështu që do të kisha sugjeruar t’i përkushtohet më shumë integrimit, veçanërisht me votuesit shqiptar dhe planit të saj për paraqitje në fushatë. Pendarovski të flasë pak më shumë për shembujt konkret për atë se çfarë do të kishte bërë, ndërsa Reka duhet, gjithashtu, pak t’u përkushtohet integrimeve personale”, deklaroi Arsovski.

Musliu, pret që kandidatët në pjesën vijuese të fushatës t’i kristalizojnë porositë dhe të tregojnë qëndrime të qarta për çështje konkrete, meqë deri tani janë të turbullt në adresimin e porosive të tyre.

“Mendoj se Reka dhe Pendarovski kanë qëndrime më të qarta, sesa Siljanovska-Davkova. Disa çështje janë të palakmueshme, por duhet doemos të merret qëndrim. Për shembull, Marrëveshja e Prespës, a do ta ndërpresë ose jo. Ajo ka disa paralajmërime për pastrim të porosisë dhe mendoj se punojnë në këtë drejtim. Këtë javë do të jetë shumë më i qartë qëndrimi i saj”, shprehet Musliu.

Pret që javën e ardhshme partitë të sulmojnë më shumë dhe se më shumë do të merren edhe me Qeverinë edhe me opozitën, me sukses dhe mossukses, si dhe me funksionalitet dhe produktivitet.

“Mendoj se këtë javë duhet t’i kristalizojnë qëndrimet për të parë dallimin. Kishim dallime të vogla mes Pendarovskit dhe Rekës dhe nuk kishte oponencë mes tyre. Do të duhet të bëhet një distinksion pse dikush do të ishte vendosur për këtë ose për atë. Do të duhet në javën e fundit të mund t’i dallojmë më qartë kandidatët dhe me qëndrime të qarta në raport me integrimet që do t’i ketë presidenti i ardhshëm”, deklaroi Musliu. (Aleksandar Atanasov/MIA)