Anagnostopullu: Para Marrëveshjes së Prespës hapja e vendkalimeve të reja kufitare haste në pengesa

Hapja e vendkalimeve të reja kufitare në të kaluarën ishte penguar, sepse nuk ekzistonin marrëdhënie bilaterale, tha ministrja alternative e Punëve të Jashtme të Greqisë, Sia Anagnostopullu gjatë mbledhjes së Komisionit për mbrojtje kombëtare dhe punë të jashtme në Parlamentin grek ku shqyrtoheshin dy draft ligjet e MPJ-së greke për hapjen e vendkalimeve kufitare afër Majdenit dhe “Markova noga”, si dhe për ngritjen e Zyrës për lidhje në Shkup në nivel të ambasadave dhe të Zyrës për punë konsullore, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së përgjithshme, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Mendoj se, nëse me të vërtetë dëshirojmë miqësi, bashkëpunim, përforcim të vendit tonë, atë që duhet ta bëjmë, në frymën e asaj që bëhet në Evropë, do të duhej t’i përshëndesim këto dy ratifikime, të cilat nuk erdhën para zgjedhjeve, erdhën tani, ndërsa duhej të vinin më herët dhe kishim presione të mëdha nga popullata lokale që të vijnë sa më shpejtë që është e mundur”, tha ministrja alternative e Punëve të Jashtme të Greqisë.

Anagnostopullu njëherit iu përgjigj akuzave të deputetit të Demokracisë së Re, Jorgos Kumucakos, i cili tha se qeveria para zgjedhjeve i sjellë ligjet për ratifikim, por edhe se marrëdhëniet bilaterale ekzistonin edhe para Marrëveshjes së Prespës. Foli edhe për vendkalimin kufitar te “Markova noga”, si kërkesë shumëvjeçare e popullatës lokale.

“Në vitin 1959 gjatë qeverisjes së Karamanlisit u hap ky vendkalim kufitar, ndërsa ishte mbyllur në vitin 1967. Prej atëherë banorët kërkojnë hapjen e kësaj rruge e cila e lidh Greqinë me Maqedoninë e Veriut. Nuk është e vërtetë se nuk kishte problem në marrëdhëniet dhe nuk ishte e nevojshme Marrëveshja e Prespës. Të përkujtoj se Korniza konvencionale mes Greqisë dhe atëherë ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ishte korniza Greqi-Jugosllavi”, tha Anagnostopullu, ndërsa si shembull përmendi se nuk ekzistonte mundësi për rregullimin e as shmangien e tatimimit të dyfishtë.

Ministrja alternative e MPJ-së së Greqisë, u përgjigj edhe në pyetjet e deputetit Davakis nga Demokracia e Re për Komisionin për shenjat tregtare dhe zbuloi se sot e kishte nënshkruar vendimin e përbashkët ministror që ka të bëjë pikërisht me këtë komision. (koha.mk)