Amsterdami ose Venecia e veriut është kryeqyteti i Holandës, i njohur për trashëgiminë e tij artistike dhe kanalet e ujit që kalojnë përmes ndërtesave. Është trashëgimi e shekullit të XVII, kohë kjo e njohur si Epoka e Artë e Amsterdamit. Në vitin 2012, Amsterdami u rendit si qyteti i dytë më i miri në botë për të jetuar.
Amsterdami është një prej qyteteve më mbresëlënëse në botë. Qyteti ka plot kisha e manastire të shekullit të XIII, shumë prej të cilave prej shekujsh janë shndërruar në objekte kulturore, galeri artesh dhe salla koncertesh. Qendra është trashëgimi botërore e mbrojtur nga UNESCO. Pikë tërheqëse për turistët është edhe Vondelpark, ku ndodhet Kopshti Zoologjik, përplot me elefantë, shimpanze e zebra. Aty afër është edhe Akuariumi Planetar, që po ashtu pret qindra mijëra vizitorë gjatë vitit. Amsterdami ngjanë shumë me Venedikun, por është shumë më i vizituar sesa qyteti italian.
Çdo vit aty shkojnë 10-15 milionë turistë të huaj, duke u renditur kështu si një nga qytetet më të vizituara në botë. Miqësor ndaj fëmijëve, Amsterdami ofron një vend ideal për pushime familjare. Udhëtoni në kanale dhe shijoni pamjen e mrekullueshme të ngjyrave të vjeshtës, të cilat kanë frymëzuar shumë artistë në vend. Mund të kapni Festivalin e përvitshëm Cinekid, ku ka filma për fëmijë, i cili organizohet nga 15 tetori deri më 1 nëntor. Po ashtu, Hallouini është gjithnjë një event i mrekullueshëm që nxjerr më në pah portokallinë e natyrës.