Shkup, 31 janar – Asociacioni i Mediave të Shtypura në Maqedoni (AMSHM) ka dënuar ashpër sjelljen e Ambasadës turke në Shkup kundër gazetës ZAMAN. Kërkesa për heqjen e ndihmës së marrë nga Qeveria e Maqedonisë ndaj gazetës ZAMAN, thuhet në reagimin e AMSHM-së, është e pasjellshme në një botë demokratike dhe është goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave në vendin tonë, thuhet në reagimin e këtij asociacioni, shkruan gazeta KOHA.
“Akuzat për lidhje të supozuar të ‘ZAMAN Maqedoni’ me ndonjë organizatë terroriste, derisa nuk dëshmohen të njëjtat para gjykatave në Maqedoni, nuk mund të jenë shkak për linçimin e tyre publik. AMSHM me keqardhje ka pranuar edhe vendimin e gazetës ZAMAN që të heqë dorë nga mjetet e fituara nga Qeveria, në kuadër të programit qeveritar për ndihmë të të gjitha mediave të shtypura në Maqedoni. Sigurojmë kolegët tanë nga ZAMAN se ASHMM do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtjen e të drejtës së tyre demokratike për informim të pandërprerë. Njëkohësisht kërkojmë nga të gjitha institucionet e vendit dhe të huaja, ashpër të dënojnë këtë sjellje të Ambasadës turke në Maqedoni”, thuhet në reagimin e AMSHM-së. (koha.mk)