Përveç krijimit të një akademie të re, shqiptare, që do të ishte hap i paimagjinueshëm për një pjesë të madhe të publikut, rrugët “e mesme” do të ishin: ndarja e brendshme në departamente etnike, ose aplikimi i “balancerit” për përfaqësim etnik, siç vlen gjatë punësimeve në administratë
Nga Daut DAUTI
Nuk mund të parashikoj se si do të venë punët në temën e “akademisë së tretë shqiptare” në Ballkan, që do të ishte në Shkup, por ajo që imponohet si nevojë, duket se është reformimi i Akademisë, sepse nëse një kandidate shqiptare, që ka vepra më shumë se gjysma e akademikëve maqedonas, nuk mund të kalojë, atëherë koha për reformim ka trokitur për Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, që do të siguronte përfaqësim edhe kualitativ edhe në parime barazie.
Akademiken Katica Qullafkova, e kujtojmë nga një deklaratë shumë të çuditshme në vlugun e pandemisë kur pat thënë “bashkëjetesën do ta paguajmë me jetë”. Ajo çdo fenomen si duket e shikon nga një këndvështrim të vetëm: Çdo e keqe Maqedonisë, i vjen nga shqiptarët. Tash kjo ideja që të krijohet një akademi e tretë shqiptare (dhe “le të thejnë qafën!), kjo në të vërtet, është një ilaç për frustrimet e saj, por dhe një mundësi praktike e zgjidhjes së problemit të akademisë, ose më saktë, e mundësive të kufizuara për përfaqësim adekuat të trurit intelektual në të, nëse ky është kriteri kryesor, ose qëllimi. Një falënderim të madh ndaj saj për këtë ide!
Nëse e lëmë anësh aspektin emotiv se si do ta përjetonin pjesa më e madhe e publikut, sepse sigurisht do të ishte një akuzë se si shqiptarët ja, po kërkojnë simite në vend të bukës, në aspektin e lirive dhe të drejtave të njeriut por dhe në aspektin legjislativ, s’do të ishte asgjë më shumë se edhe një fushë ku mund të zbatohen principet e njëjta. Ku e kam fjalën? Kur u themelua Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, u çua pluhur me shumë zhurmë mediatike, por një odë e tillë u themelua, nisi të funksionojë, sadoqë paragjykimet ndaj saj mund të kenë mbetur sepse i tubon kompanitë shqiptare, por në fakt, është një formë efikase e mbrojtjes së interesit të biznesit në një territor kompakt. Ajo që është për t’u theksuar është analogjia vijuese: Kjo odë ekonomike kërkoi dhe pastaj fitoi pjesë të ndërtesës në të cilën ishte e vendosur Oda Ekonomike e Maqedonisë, e cila funksiononte njësoj si AMSHA, që nga sistemi i kaluar. Kompanitë të cilat vendosën ta themelojnë odën e re ekonomike mund të ishin në OEM, dhe dolën prej saj, ndoshta sepse nuk u dëgjohej zëri sa duhet. Në momentin që dolën prej saj, kërkuan një hise për vete, sepse gjithë çka kishte krijuar OEM, ishte bërë me paratë e të gjithë punëtorëve të cilët ndanin nga rroga e tyre 0.12 për qind në kohën e komunizmit, por dhe realizëm, dhe çështja u zgjidh në mënyrë elegante.
E njëjta formulë, bazuar në të njëjtat parime, mund të zbatohet në rast të themelimit të një akademie shqiptare në Maqedoni. Me fjalë të tjera, nga buxheti për akademinë do të ndahej sipas paritetit etnik, sepse në atë mënyrë mblidhen mjetet buxhetore për të. Njësoj do të ndahej gjithë ajo që është krijuar me dekada, ndërtesa, pajimet teknike, ashtu siç e tha akademik Abdylmenaf Bexheti…
Në të vërtet, akademia kaherë është e pjekur për reformim. Ky aspekti etnik u thye në njëfarë dore, prej pranimit të Luan Starovës dhe Alajdin Abazit e më vonë edhe të Abdylmenaf Bexhetit e Izet Zeqirit si dhe disa anëtarëve të jashtëm të nderit (Ferid Muradi, Ali Aliu), por në këtë pikë jemi shumë larg të ketë një përfaqësim adekuat. Njësoj si në aspektin etnik, ende problem paraqesin jo kriteret e pranimit, sa nepotizmi i brendshëm dhe klanet. Akademitë në të gjitha vendet kanë nevojë për reforma, që nga mosçlirimi i mendësisë së vjetër kur meritat politike ishin mbi kriteret shkencore që do të pranoheshin (psh. më lehtë pranohej në akademi ndonjë që vinte nga forume të larta(ministra…) e pa vepra, se sa ndonjë ekspert fushe me shumë vepra e pa këtë “pasaportë”). Të tillët madje vinin në krye të akademive. Kohë më parë, kur ishin aktualë kandidatët e ri për anëtarë të rinj të akademisë, e pyeta një profesor maqedonas a mos ka konkurruar, e ai më tha: që të konkurrosh duhet jo vetëm të të propozojë, por dhe të kesh mbështetje prej brenda. E brenda, shton ai, mund të hysh jo me veprat, por vetëm nëse ke “njerëz tu”. Atje ke bashkëshortë ose të afërm familjarë, e nuk janë shumë të tjerë që do të duhej të jenë.
Këto “kritere”, doemos duhet të ndryshojnë. Aspekti tjetër, sigurisht është çështja e përfaqësimit etnik. Deri në pranimin e Luan Starovës dhe Alajdin Abazit, në AMSHA, ndër dhjetëra e qindra anëtarë për shumë dekada, mbahet mend vetëm një emër shqiptar, Olivera Jashar-Nasteva, dhe disa të tjerë me origjinë ortodokse, por jo të deklaruar si shqiptarë. Praktikisht, shqiptarët që merrnin pjesë në popullsinë mbi 20 për qind, me një potencial intelektual për respekt, i kishin të mbyllura dyert e Akademisë, ndërkaq pjesëtarë të bashkësive më të vogla, si serbe apo vllehe, ishin më të pranishëm në numër!
Pra, nëse “zgjidhja” nuk kërkohet në krijimin e një akademie të re, që nuk e besoj se mund të shkojë në atë drejtim, mbetet të gjendet mënyra e një reformimi të brendshëm, sidomos në mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Akademisë. Kjo do të ishte më racionale dhe më pak paragjykuese nga publiku dhe me më pak politizime ndëretnike. Siç e shikoj unë, janë dy-tri mënyra.
E para, ndarja e brendshme e AMSHA-s në dy ose tri departamente me karakter etnik. Pra, “Departament maqedonas”, “Departament shqiptar” dhe “Departament të të tjerëve”. Kjo ndarje e këtillë do të orientonte dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj, ku nuk do të ketë ndërkëmbëza në baza etnike, por prej më parë do të dihej se kush për cilin departament pranohet dhe nga sa do të ketë nga secila bashkësi. Ndoshta kjo ndarje do ta impononte dinamikën e zgjedhjes: më shpesh do të zgjidheshin ata maqedonas. Por, gjithsesi, numri do të përcaktohen në bazë të përfaqësimit sipas regjistrimit të popullsisë.
E dyta, është modifikim i së parës, por me aplikimin e të ashtuquajturit “balancer” që vlen për punësimet në administratë. Struktura e brendshme organizative nuk do të ndahej në diçka që mund të quhen “departamente”, por, gjatë pranimit do të duhej të përcaktohet se sa akademikë do të pranohen dhe të cilës përkatësi etnike. Edhe në këtë mënyrë nuk do të ketë keqkuptime apo vendimmarrje majorizuese në dobi ose dëm të ndonjërit. Kur gjërat prej më parë përcaktohen, nuk ka keqkuptime.
E treta, vendimet me parimin e shumicës së Badenterit. Fundja, ky është një parim kushtetues, që ndoshta shumë akademikëve nuk u pëlqen, por ai tashmë funksionon dhe çdo institucion duhet ta aplikojë gjatë vendimmarrjes. Kështu do të eliminohej majorizimi etnik.
Si fund, asnjëra nga këto mënyra të riorganizmit nuk do t’i eliminojë defektet tjera të përzgjedhjes (nepotizmin, klanet…), por kjo është temë që duhet të trajtohet ndryshe, nuk shkakton këso debatesh ndëretnike.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)