Shkup, 3 dhjetor – Ne po bëjmë gjithçka që të mos ketë veto, gjithçka që është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, ne besojmë në Marrëveshjen për Bashkëpunim, të veprojmë me mençuri me strategji të mençur, të tregojmë se jemi konstruktivë, deklaroi ish zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski në debatin e sotëm në Televizionin 24 me deputetin dhe anëtarin e KE të VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
“Nuk mund të parashoh se deri ku do të shkojë Bullgaria, mund të shkojë deri në fund, por ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet të cilat i kemi në dispozicion. Një gjë duhet të dihet, edhe po të ketë veto ne do të vazhdojmë të bisedojmë sepse nuk kemi alternativë tjetër për të ardhmen e Bashkimit Evropian”, theksoi Zhernovski.
Ai shtoi se gjuha dhe identiteti nuk janë tema të bisedimeve, por çështje të tjera të hapura.
“Nuk ka çmim, për gjuhën dhe identitetin nuk bisedohet, ato dy çështje janë mbyllur. Strategjia jonë është të ulemi dhe të bisedojmë, vetëm kjo është mënyrë që të arrijmë zgjidhje. Pastaj ta shohim se çka i pengon bashkëbiseduesit dhe të flasim edhe për këtë. Ka shumë çështje, por gjuha dhe identiteti nuk janë temë. Flasim para së gjithash për zbatimin e Marrëveshjes. Vetëm me miqësi dhe marrëdhënie të mira do ta fitojmë të ardhmen të cilën e dëshirojmë”, tha ai.
Zhernovski i bëri thirrje Janushevit dhe Mickovskit që të flasin dhe të mos fshihen pesë ditë pas gënjeshtrës së publikuar se Maqedonia e Veriut po copëtohet në Sofje.
“Bëni politikë të pashpresë dhe pa perspektivë, për atë i keni të tilla protestat. Dëgjoj se si LSDM ka punuar kundër shtetit, dhe ju pesë ditë nuk përgjigjeni, gjatë fundjavës akuzuat se po copëtohet shteti, kur e shkatërroi, kush e copëtoi, kush ka ndërmjetësuar, kush ka qenë i ulur në atë tavolinë. Heshtni, ndërsa deklarata është vepër penale”, tha Zhernovski.