Paralelisht me procesin e shpërnguljes së popullsisë myslimane (shqiptare e turke), në RP të Maqedonisë, filloi procesi i vendosjes së refugjatëve politik, të cilët gjatë luftës qytetare në Greqi (1946-1949), kishin emigruar në shtetet e Evropës Lindore. Dokumentet e kohës nxjerrin në pah se deri në vitin 1968, nga shtetet e Evropës Lindore (BRSS-së, Çekosllovaki, Poloni, Hungari, Rumani etj.) ishin sjell e vendosur në Maqedoni, gjithsej 10.182 familje me 34.915 anëtarë, ndërsa nga viti 1968 e deri më 1974 edhe 932 familje me 3.224 anëtar, apo në tërësi: 11.114 familje me 38.139 anëtarë
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Kjo kërkesë e re që erdhi nga autoritetet turke, shkaktoi turbullira të papara te organet shtetërore maqedonase. Komisioni për pakicat nacionale pranë KQ LKM-së, në informatën e lartë përmendur, ashpër e kritikonte: konsullin e përgjithshëm turk, për siç thuhej: “jo çdo herë ka të drejtë kur kërkon që edhe në certifikatat nga librat amzë të lindjes, prej para 6 prillit të vitit 1941, të nënvizohet fakti ‘nacionaliteti’, i cili fakt nuk ka qenë i detyrueshëm dhe për të cilin në librat amzë fetare nuk figuronte kjo rubrikë”. Sipas informatës, e tërë kjo ka shkaktuar revoltë te “popullata myslimane” e cila gjoja kërkuaka rrugë dhe formë “se si të arrijë deri te e drejta e vetë” që në çertifikatat nga librat amzë të lindjes të evidentohet përkatësia nacionale “turke”, të cilën nuk mund ta bënte asnjë organ shtetëror i RFPJ-së. Lejimi i ndërrimit të identitetit kombëtar, për udhëheqjen komuniste jugosllave, përkatësisht maqedonase, nuk paraqiste “as çfarë shkelje të të drejtave qytetare dhe nacionale”, sepse siç shprehen: “kërkesat për ndërrimin e përkatësisë nacionale drejtuar deri te organet shtetërore dhe funksionarët e lartë, vijnë nga ata qytetarë të cilët thuajse të gjithë kanë familjarë të afërt në Turqi, të shpërngulur më herët”, dhe se “pikërisht nga ky shkak mendojmë, se numri i lutjeve të paraqitura për lirim nga shtetësia, posaçërisht nga mesi i vitit 1958 deri më sot, dukshëm është zvogëluar, megjithëse dëshira për shpërngulje nuk është në rënie”.
Një situatë e tillë që u krijua asaj kohe shqetësoi tej mase udhëheqjen komuniste maqedonase, aq më tepër kur një numër jo edhe aq i vogël i popullsisë shqiptare nga Kosova, Sanxhaku dhe Mali i Zi, për shkak shpërnguljes për në Turqi, ishin vendosur përkohësisht në territorin e RP të Maqedonisë. Ky numër sipas Sekretariatit Republikan për Punë të Brendshme të RPM-së, deri në gusht të vitit 1959 ishte gjithsej 22.776 banorë, i shpërndarë nëpër rrethe edhe atë: rrethi i Manastirit 1.341 persona, rrethi i Kumanovës 188, rrethi i Tetovës 625, rrethi i Tito Velesit 4.003 dhe rrethi i Shtipit 1.999 persona. Personat e vendosur në këto rrethe vinin: nga Kosova 12.972 persona, Lugina e Preshevës 1.884, Sanxhaku 2.965, RP e Bosnjës e Hercegovinës 2.147 dhe RP e Malit të Zi 2.850 persona. Pikërisht kjo vendosje e përkohshme e popullsisë shqiptare e boshnjake në Maqedoni si dhe moslejimi i ndërrimit të identitetit të tyre, do të jetë temë debati në mbledhjen e komisionit për pakicat nacionale pranë KQ të LKM-së, mbajtur me 4 shtator të 1959. Në procesverbalin e lëshuar nga kjo mbledhje thuhej:
“Si problem i veçantë gjatë debatit u paraqit e drejta e ndërrimit të kombësisë. Kjo imponohet jo vetëm nga aspekti i mundësisë së shpërnguljes, por edhe në pikëpamjen juridike, aq më tepër kur e kemi parasysh se ndërrimi i përkatësisë nacionale te pakica shqiptare dhe turke kryesisht kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm politik e jo nga përkatësia e vërtetë nacionale. Për këtë arsye shpesh herë ndodhë që anëtarët të një familje të regjistrohen në përkatësi të ndryshme nacionale. U konstatua se me vendosjen e myslimanëve nga republikat tjera krijohen edhe probleme tjera. Shumica e tyre riatdhesohen në Maqedoni që të shpërngulen më lehtë në Turqi. Duke e pasur parasysh këtë, edhe nuk bashkëngjiten në jetën e rregullt politiko-shoqërore dhe ekonomike në territoret ku janë të vendosur…Për shqyrtimin e të gjitha problemeve që lidhen me riatdhesimin e myslimanëve në Maqedoni, u theksua nevoja për përgatitjen e një informate dhe sërish të shqyrtohet nga Komisioni…”.
Rrjedhimisht, SRPB të RPM-së, më 2 tetor të vitit 1959 informonte gjerësisht Komisionin për pakica nacionale për numrin e përgjithshëm të popullsisë myslimane (shqiptare) të vendosur në Maqedoni, për pengesat që ata i hasnin gjatë ndërrimit të identitetit, për kushtet tejet të vështira jetësore dhe shëndetësore etj. Në të bëhej qartë me dije se shpërngulja për në Turqi e kishte përfshi popullsinë shqiptare, jo vetëm nga RP e Maqedonisë por edhe siç thuhej “nga Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë”, nga ku edhe vërshimi i “myslimanëve” në RP të Maqedonisë ishte më i madh. Sipas një përllogaritje të përgjithshme, të cilat ishin siguruar nga të dhënat e sekretariateve për punë të brendshme të rretheve, numri i personave të riatdhesuar nga republikat tjera (kryesisht nga Kosova) deri më datë 15 shtator 1959 ishte 28.185. Ky numër sipas rretheve ishte me sa vijon: rrethi i Manastirit 1.471, rrethi i Kumanovës 843, rrethi i Ohrit -, rrethi i Shkupit 19.340, rrethi i Tetovës 770, rrethi i Tito Velesit 3.822 dhe rrethi i Shtipit 1939. Në shifrat e mësipërme nuk ishin llogaritur fëmijët, të cilët nuk i nënshtroheshin lajmërimit të detyrueshëm dhe personat të cilët nuk ishin lajmëruar në shërbimet për lajmërim dhe ç’lajmërim, që kjo nënkuptonte se numri i përgjithshëm i të vendosurve shkonte deri më 40.000 e më tepër persona. Është me rëndësi të thuhet se nga ky numër rreth 40% tashmë ishin shpërngulur për në Turqi, ndërsa pjesa tjetër ishte në pritje e sipër. Informata më pas ndalet në përkatësinë nacionale të asaj popullate, që mbështetej në dokumentacionin, përkatësisht kërkesave të tyre për ndryshimin e shtetësisë republikane apo ç’regjistrim nga shtetësia jugosllave, ku jepej pasqyra si vijon: 85% shqiptarë, 5% të papërcaktuar, 5% serb nga besimi mysliman, malezez dhe variante tjera të lidhur me fenë islame dhe 5% turq. Lidhur me këta të fundit, përkatësisht popullsisë së deklaruar si turke, në informatë thuhet qartë se personat në fjalë ishin të kombësisë shqiptare, dhe se për shkak shpërnguljes për në Turqi “ata janë detyruar të kryejnë falsifikime të ndryshme” me qëllim që në certifikatat e tyre të figurojnë si turq.
Në mars të vitit 1959, Këshillit Ekzekutiv i KQ të LKJ-së, solli Konkluzionet për çështjet e “pakicave nacionale”, të cilat, pa ndonjë arsyetim, nuk u publikuan. Të njëjtat do të bëhen të njohura në Kongresin e Tetë të LKJ-së, në dhjetor 1964, kur pastaj do të botohen në tërësi me materialet e tjera të Kongresit…. Në to, midis të tjerave, u konstatua se përkundër asaj se: “pjesëtarët e kombësive – pakicave nacionale gjenden nëpër detyra të ndryshme të organizatave shoqëror-politike, në organet e pushtetit, administratën shtetërore, organizatat ekonomike”, mirëpo, e njëjta në disa organe e organizata, gjithnjë e më pak vjen në shprehje “proporcionaliteti i përbërjes nacionale”. Nisur nga kjo, u vu në dukje se duhet “në mënyrë të vazhdueshme të kihet kujdes për pjesëmarrjen proporcionale të kombësive – pakicave nacionale në trupat zgjedhore e të tjera.”, dhe se, veçmas duhet të mënjanohen “nëpërkëmbja e panevojshme kur bëhet fjalë për besimin e vendeve udhëheqëse”.
Konkluzionet e mësipërme, ndikuan pozitivisht edhe në zvogëlimin e interesimit të popullsisë myslimane (shqiptare) për t’u shpërngulur në Republikën e Turqisë. Nëse deri në atë periudhë kohore i tërë procesi i shpërnguljes, zhvillohej në mënyrë të organizuar nga ana e organeve shtetërore të RFPJ-së, përkatësisht të RP të Maqedonisë, tashti e njëjta mori karakter individual, me çka vala e saj u zvogëlua dukshëm. Rastësi apo jo, në Informatën e 24 gushtit 1959 të Komisioni për pakicat nacionale pranë KQ LKM-së, 15 marsi përmendet si datë e fundit e të dhënave zyrtare për numrin e qytetarëve të shpërngulur për në Turqi.
Paralelisht me procesin e shpërnguljes së popullsisë myslimane (shqiptare e turke), në RP të Maqedonisë, filloi procesi i vendosjes së refugjatëve politik, të cilët gjatë luftës qytetare në Greqi (1946-1949), kishin emigruar në shtetet e Evropës Lindore. Dokumentet e kohës nxjerrin në pah se deri në vitin 1968, nga shtetet e Evropës Lindore (BRSS-së, Çekosllovaki, Poloni, Hungari, Rumani etj.) ishin sjell e vendosur në Maqedoni, gjithsej 10.182 familje me 34.915 anëtarë, ndërsa nga viti 1968 e deri më 1974 edhe 932 familje me 3.224 anëtar, apo në tërësi: 11.114 familje me 38.139 anëtarë. Paraprakisht, Këshilli Ekzekutiv i RSM-së, më 22 qershor 1973, solli Konkluzione, me të cilat parashikohej që brenda harkut kohor 1974-1984 të sillen e të vendosen edhe 4.000 familje tjera, edhe atë në fazën e parë 1974-1975 nga 200 familje në vit, ndërsa në fazën e dytë nga 400 familje.
Shumica dërmuese e këtyre refugjatëve politik u vendosën në Shkup e Manastir, ndërsa pjesa tjetër në qytetet me shumicë shqiptare si në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër e Strugë. Sipas marrëveshjes së nënshkruar midis RSFJ-së dhe shteteve të Evropës Lindore, ndër kushtet e domosdoshme për sjelljen dhe vendosjen e atyre refugjatëve në RS të Maqedonisë ishin: sigurimi i banesës për çdo familje, punësimi i së paku të një anëtari të familjes, sigurimi i bursave për shkollimin e fëmijëve, sigurimin e ndihmës sociale për ato familje, të cilat nuk kishin anëtarë të aftë për punë etj. Një politik e tillë që zbatohej asaj kohe nga udhëheqja politike jugosllave, kuptohet se e nxitur nga ajo maqedonase, pati një qëllim të vetëm: ndryshimin e strukturës nacionale në trevat ku shqiptarët përbënin shumicën dërmuese të popullsisë. (Fund)