Tensionet mes dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë, janë në rritje për shkak të planeve të Ankarasë zyrtare për të kërkuar naftë dhe gaz natyror në rajonin e Mesdheut lindor.
Greqia i kërkoi Turqisë të ndalë veprimet e paligjshme në Mesdheun lindor, duke thënë se një veprimtari e tillë është provokues dhe minon paqen dhe sigurinë në rajon.
“Greqia nuk do të pranojë asnjë shantazh. Ajo do të mbrojë të drejtat e saj sovrane,” tha ministria e Jashtme e Greqisë në deklaratë.
Kërkimet në Mesdhe, BE: Operacionet Turke, ekstremisht shqetësuese
Edhe Bashkimi Europian vlerëson se rifillimi i kërkimeve të Turqisë për naftë dhe gaz në Mesdheun lindor, është ekstremisht shqetësues.
“Mobilizimi më i fundit detar në Mesdheun lindor do të çojë në një antagonizëm dhe mosbesim më të madh”, tha shefi i politikës së jashtme në BE, Josep Borrell.
Kufijtë detarë- sipas tij – duhen përcaktuar përmes dialogut dhe negociatave, jo përmes veprimeve të njëanshme dhe mobilizimit të forcave detare. Zbulimi i rezervave të gjera të gazit në rajon, vitet e fundit, ka ndezur një përplasje të fortë mes Greqisë, Turqisë dhe Egjiptit, por edhe Qipros dhe Izraelit. Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, njoftoi të premten rifillimin e operacioneve të Ankarasë duke akuzuar Greqinë se nuk po mbante premtimet e saj. Komentet e tij erdhën një ditë pasi Athina dhe Kajro nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një zonë ekskluzive ekonomike në rajon.
Marrëveshja mes Greqisë dhe Egjiptit, duket si një reagim direkt ndaj një marrëveshjeje të ngjashme të arritur në nëntor mes Turqisë dhe qeverisë të njohur nga OKB-ja në Libi e që zgjeronte territorin detar të Turqisë e që ngriti akuza nga disa qeveri, mbi të gjitha nga ajo e Greqisë, se Ankaraja po përpiqej të vuloste dominimin në rajon.