E shohim në ekran në një mision sa të vështirë dhe të pamundur por edhe mjaft të suksesshëm me histori të ndryshme të cilat janë zbardhur pikërisht nga ajo dhe stafi i saj. Elegante, e zgjuar, oratore e shkëlqyer dhe një zonjë që është bë shembull për të gjithë. Është mësuar të intervistojë por këtë herë ajo vjen një bisedë ekskluzive për InfraRed të gazetës KOHA për të treguar më shumë rreth vetes dhe punës që bën, ndaj e lexojmë bashkë intervistën me Odeta Dume
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Po bëhen shumë vite eksperiencë televizive, në momentin që t’i hap siparin e emisioneve gjithnjë e më shumë, mund të thuash që të duket gjithmonë si hera e parë?
Çdo pasdite kur mbaron sigla e Pa gjurmë dhe unë duhet të përshëndetem me teleshikuesit kam lutjen time. (Tre fjalët e mia magjike që nuk i bëj publike). Nuk më duket si hera e parë, pasi nuk kam emocione dhe gjithë energjitë e mia i shpenzoj tek historia e ditës dhe informacionet që mbërrijnë për të humburit. Nëse do vazhdoja që çdo ditë do të më dukej si hera e parë, ju garantoj që nuk do e vazhdoja më këtë mision. Pasi çdo ditë e më shumë, unë mësoj dhe e vendos në shërbim të punës.
KOHA: E ke nisur punën në media shumë e re, emri yt tashmë është një nga më gjigantët e ekranit, e ke menduar ndonjëherë të largohesh nga vendi për karrierë diku jashtë?
Jam ende e re në këtë profesion, por edhe në moshë. Dua kontributin ta jap në vendin tim. Asnjëherë nuk kam jetuar jashtë Shqipërisë, përveç vizitave tek familjarët apo për pushime kam kaluar kufirin. Emigrimi nuk ka qenë kurrë në planet e mia qoftë edhe në kohët më të vështira që mund të kem kaluar. Sapo e kam nisur misionin në Pa gjurmë dhe më pret një rrugë e gjatë.
KOHA: Jo vetëm sepse je moderatore, por vërtet je një folëse mjaft e zonja dhe e artikuluar! Krahas moderimit, ke menduar ndonjëherë t’i futesh politikës apo ndonjë profesioni tjetër?
Kam studiuar për diçka tjetër që nuk ka lidhje me gazetarinë. Fare rastësisht u gjenda në televizion. Më pëlqeu si punë dhe sot e bëj me shumë dashuri. Nuk mendoj të ndryshoj profesion dhe sidomos për politikën shqiptare.
KOHA: Cili është qëllimi që keni, do vazhdoni punën tuaj me emisione edhe sivjet e me radhë?
Padyshim që do jem në ekran, sapo kam nisur udhëtimin tim.
KOHA: Intervistat i bën në një format shumë më ndryshe se tjerët, je unike në të gjithë aspektet, ekziston një motivacion i fortë për këtë energji që ke?
Personazhet më motivojnë, çdo histori misteri më jep energji për të punuar. Në intervistat që realizoj live, dua të përcjellë realitetin tek shikuesit. Ndodh shpesh që i ftuari i ditës nuk të flet, përgjigjet shkurtë dhe historia e humbjes nuk kuptohet. Ndaj, përpiqem që personazhin ta kthej në kohë pas, pikërisht ditën që ka humbur njeriun e tij të dashur. Duke kuptuar qartë rrethanat e humbjes, unë kuptoj ku duhet të kërkoj. Por të falënderoj për vlerësimin që më bën.
KOHA: Nga “debat’ pozitive që po bën në emision asnjëherë nuk ndodh që të dalin jashtë kontrolle, pse ke zgjedhur pikërisht këtë format, të sjellësh para publikut emisione të qeta, të bukura, zgjedhje fantastike të rasteve që bën e deri tek personazhet briliante?
Që kur kam qenë studente dhe punoja në televizion u fokusova tek historitë njerëzore. Janë reale dhe vijnë nga të gjitha zonat e Shqipërisë, jo vetëm por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kemi shumë denoncime. Si përmbyllet një emision, nuk ndodh tek tjetri. Historitë janë të ndryshme, problematikat që sjellin janë të vështira dhe mundohem që situata mos të më dali nga kontrolli. Si e bëj? Punoj çdo ditë në zyrën time.
KOHA: Të ka ngelur peng ndonjë rast që e ke trajtuar, por nuk ke mund t’i dalësh në fund edhe pse ke ardhur thuajse deri tek fundi?
Po dhe është historia e Bleona Matës, vogëlushja që u zhduk në vitin 2010 në malin Pikëllimë të fshatit Zapod të Kukësit. Shumë informacione vijnë, por asgjë konkrete dhe kthehem sërish në pikën 0. Nëna e vajzës më telefonon çdo ditë dhe më besoni si ndihem kur flas me familjarët. Ata më shikojnë si të vetmen shpresë që kanë për të humburit e tyre. Por ndoshta nuk do e quaj rastin e Bleonës si pengun tim për momentin, pasi historia është ende në proces dhe uroj të zbardhim një të vërtetë.
KOHA: Ke punuar në shumë media, si e kujton bashkëpunimin me kolegët e tu? Emra që mund të përmenden?
Kam punuar më parë edhe në dy media të tjera si në Vizion Plus dhe News24. Kam mësuar shumë si për shembull nga Rezeart Xhaxhiu apo nga ish drejtori i informacionit Alfred Peza. Vizion Plusi ngelet shtëpia ime e parë, pasi aty nisa rrugëtimin si gazetare dhe mësova nga shumë njerëz profesionistë.
KOHA: Përse gazetaria është një profesion të cilin mund ta ushtrosh dhe pa arsimin përkatës?
Nuhatja ndaj lajmit. Besoj nëse nuk e ke, as 10-tat në shkollë nuk të vlejnë kur përballesh me terrenin.
KOHA: Ke menduar ndonjëherë që të bëni ndonjë libër për veten tënde për gjithë karrierën dhe sukseset që numëron e që nuk janë shumë, por edhe rastet që ke trajtuar?
Oh çfarë pyetje? Jam thjeshtë një gazetare dhe jo shkrimtare. Ndërsa për historitë e kam menduar, pasi çdo ditë ato postohen në faqen shqiptarja.com që është pjesë e televizionit ku punoj. Në këtë ueb është një dritare e emisionit Pa gjurmë dhe në një farë mënyre është një libër online që çdo ditë i shtohen faqe. Dhe qëllimi është që historitë të përhapen në botën virtuale që ne të mbledhim informacione.
KOHA: Nga ju vjen frymëzimi për përzgjedhjen e rasteve, si trajtohen ato, kush ju ndihmon dhe kë ke në staf?
Ka shumë denoncime dhe përzgjedhja për program bëhet sipas datës së denoncimit që bën familjari, përveç rasteve urgjente ku dikush humb atë ditë, që pasaporta e të humburit futet automatikisht në emision. Nga momenti i denoncimit dhe deri ditën që rasti trajtohet në studio është një punë e madhe për t’u realizuar. Dhe me këtë rast falënderoj stafin tim, kryeredaktoren Elda Lamja, redaktorin Ermal Qori, gazetaret Xhilda Durishti, Ledina Jakimi dhe Besa Xhaferasi.
KOHA: Kush mbetet në mendjen tënde, që ti e konsideron një “arritje” dhe sukses në profesionin tënd si gazetar?
Deri në këtë moment asgjë nuk ka mbetur në mendjen time që unë ta konsideroj sukses, ndoshta duhen ende vite për të arritur deri tek suksesi.
NDRYSHE ME ODETËN:
KOHA: Çfarë është lumturia absolute për ju?
Asgjë në këtë botë nuk është absolute, është relative, vetëm një gjë është absolute, jo lumturia, që gjithçka është relative.
KOHA: Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Pasi jam ngopur me gjumë, bëj shaka por zgjohem herët, pasi përgatis dy fëmijët për shkollë dhe kopsht dhe nisem për punë. E nisë ditën me vrap dhe ashtu e mbyll, por kjo nuk më lodh.
KOHA: Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Kur vajza ime Amelia që ende s’ka mbushur 5 vjeç më imiton si moderatore. Ndodhi para pak ditëve në mbrëmje kur ishim të gjithë në shtëpi dhe kam qeshur me lot.
KOHA: Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Nuk besoj në horoskop, por jam shenja e zjarrit Dashi. E kupton tashmë çfarë më karakterizon.
KOHA: Defekti juaj kryesor?
Ndoshta fal me shumë seç duhet. Nuk di të them defektet e mia se mund të jenë shumë. Gjithmonë përpiqem t’i korrigjoj në kohën dhe vendin e duhur, pasi janë burim gabimesh.
KOHA: Hera e fundit që u përlotët?
Mundohem në trasmetim live të mos përlotem, të largoj emocionet dhe të jem e ftohtë në gjykimin e historisë. Jashtë kuintave, jam njeri dhe padyshim përlotem shpesh. Dje ndodhi kur në zyrë më erdhi një i moshuar që ishte braktisur nga të gjithë dhe ishte i uritur dhe vetëm qante.
KOHA: Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Skenderbeun nuk po e përmend, se shume është përmendur këto kohët e fundit, (qesh). Ndaj, ne njerëzit e sotëm që jetojmë në Shqipëri (e kam fjalën nga politikanët e deri tek ai fshatari që punon tokën e tij në cepin më të largët) të jemi me këmbë në tokë dhe të punojmë dhe të duam vendin tonë. Vetëm kështu historia e popullit shqiptarë do të pasurohet me personalitete të shquara, që në 30 vitet e fundit i mungojnë.
KOHA: Udhëtimi juaj i preferuar?
Në mal ngjitje me këmbë. Vij nga jugu i Shqipërisë dhe shumë afër kam pasur malin e Tomorrit. Që e vogël babai më merrte me vete në mal dhe e dua shëtitjen dhe ngjitjen në zona malore. Këto udhëtime janë mrekulli.
KOHA: Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Ismail Kadare, librat e tij i kam lexuar që në bankat e shkollës. Por një dashuri të madhe kam edhe për autorët rus, gjithmonë më ka pëlqyer letërsia e këtij vendi.
KOHA: Ngjyra juaj e preferuar?
E kuqe (është ngjyrë që tregon shumë jetë dhe dashuri).
KOHA: Pija juaj e preferuar?
Nuk jam shumë pijedashëse, por që t’i përgjigjem pyetjeve deri në fund po zgjedh verën e kuqe.
KOHA: Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Që dy fëmijët e mi kërkonin një motër apo vëlla dhe unë nuk u’a realizova. Kjo më bën të pendohem sot, nesër nuk e di…
KOHA: Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Gënjeshtrat.
KOHA: Frika juaj më e madhe?
Nga lartësitë dhe nga qeni i komshisë kur përballem në shkallët e pallatit, (qesh).
KOHA: Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Mundohem mos të gënjej, por nuk e mohoj që nuk e bëj. Gjithmonë ka një motiv, por ju siguroj që është për të mirë. Për shembull, pak bashkëshortin kur dal nga ndonjë dyqan rrobash, (qesh).
KOHA: Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Po… A gabova? Natyrisht po, por bëhej fjalë për shëndetin e babait tim dhe nuk e mendova gjatë. Ka qenë rasti i parë dhe i fundit që kam bërë.
KOHA: Cila është motoja juaj?
Andej nga anët e mia thuhet – Në kohët e tua më të vështira, armikun bëje mik. Në fillim më dukej absurde si shprehje…, por në këto kohë që po jetojmë e kam kuptuar qartë qëllimin e të parëve tanë. Por motoja ime është “djersa e derdhur nuk ikën kurrë dëm, ndaj armikun mos e bëj kurrë mik”.