Autoritetet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut kanë bërë të ditur se fillimviti i ardhshëm shkollor do ti gjejë filloristët shqiptarë me Abetare të unifikuar, ndërkohë që ekspertët thonë se projekti madje është vonuar në zbatim
Arbër KADRIU
Shkup, 25 nëntor – Projekti “Një Abetare për gjithë filloristët shqiptarë” edhe më tej vazhdon të mos jetësohet. Edhe përskaj këtyre dështimeve, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arafat Shabani paralajmëron se “shkronjat” e unifikuara së shpejti do të jenë para nxënësve shqiptarë në Maqedoni.
“Nga muaji shtator i vitit të ardhshëm, kjo çështja do të merr fund. Shumë shpejtë do t’i fillojmë bisedimet me kolegët nga Republika e Shqipërisë dhe Kosovës. Ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe unik. Kjo është një sfidë e re për të gjithë ne, dhe natyrisht që kjo përfshinë të gjithë shqiptarët gjithandej, pra edhe të Shqipërisë dhe Kosovës për përpilimin e përbashkët të Abetares. Do t’i fillojë bisedimet me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për diskutimin e kësaj çështje, por detyrimisht nga viti tjetër apo me fillimin e shtatorit të 2021 besoj që gjithçka do të jetë e gati. Besojmë se nga fillim viti i ardhshëm shkollor nxënësit do të vijojnë mësimin me Abetare të re të unifikuar”, deklaroi për KOHA, Shabani.
Në anën tjetër, Rizvan Bela, ish-drejtor i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit thotë se kjo çështje duhej të zgjidhet prej më herët, madje sipas tij, është vonuar, pasi Shqipëria dhe Kosova prej më herët e kanë Abetaren e tyre të përbashkët. “Nxënësit shqiptarë të klasës së parë, gjithandej trojeve ku jetojnë, patjetër duhet të mësojnë nga Abetarja mbarëkombëtare me të cilën duhet t’i fillojnë hapat e para të diturisë. Ky proces madje është i vonuar te ne, derisa ata të Shqipërisë e Kosovës tani më e kanë. Nëse të gjithë synojmë standardin e gjuhës shqipe, fëmijëve tanë nuk guxojmë t’ua mohojmë këtë mundësi, në raport me bashkëmoshatarët e tyre nga Shqipëria e Kosova, e që unë them se është detyrim. Jam i bindur se kjo është edhe dëshirë e nxënësve dhe mësuesve shqiptar”, deklaroi Bela. (koha.mk)