Pasi bëhet fjalë për iniciativë qytetare, anëtarët bëjnë thirrje që sa më shumë të rinj t`ju bashkëngjiten për të dhënë kontributin e nevojshëm për të pasur sa më shumë parqe dhe gjelbërime në qytetin e Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 26 tetor – Tetova të jetë qytet më i bukur. Kjo është ideja e iniciativës qytetare të quajtur “Më bukur”. Kjo iniciativë tashmë ka ndërmarrë dy aktivitete për rregullimin e hapësirave të braktisura në qytet dhe të njëjtat tashmë kanë marrë pamje tjetër. Bëhet fjalë për pakun në lagjen e “Jashtëvardarit” dhe tek lagjja “Kulla e Sahatit”. Nga kjo iniciativë thonë se shqetësimi për një ambient më të mirë dhe të pastër duhet të jetë i përbashkët si për institucionet po ashtu edhe për qytetarët. “Ne ndërmorëm një iniciativë të këtillë për të motivuar institucionet dhe qytetarët që të mirëmbajnë këto parqe që janë, dhe mundësisht të ndërtohen parqe të reja me gjelbërim. Me këtë dëshirojmë që të kemi një qytet më të gjelbëruar dhe më ekologjik. Qëllimi ynë kryesor është që të mos dëmtohen ato pak hapësira me gjelbërim dhe të na bashkëngjiten sa më shumë moshatarë, tek të cilët dëshirojmë që të mbjellim mentalitetin që qytetin apo parqet ta ndjejnë si të vetin dhe të kujdesen sa më shumë për këto hapësira”, tha Evangelija Ivanovska, nga iniciativa qytetare “Më bukur”.
Fillimisht, aktivistë të kësaj shoqate krijojnë një plan operativ dhe më pas në bashkëpunim me banorët e lagjeve fillojnë me punë. “Fillimisht vijmë në lagje dhe aktivistët tanë fillojnë të pastrojnë, zbukurojnë apo lyejnë ato pjesë që kanë nevojë. Më pas na bashkohen qytetarët e lagjeve ku ne mendojmë se ka nevojë për ndërhyrje të këtillë. Problem kanë qenë mjetet dhe ato i kemi siguruar nga anëtarësia jonë, më pas kemi patur përkrahje edhe nga kompani private, kryesisht ngjyrat dhe pemët që na kanë dhënë, kurse një ndihmesë të madhe na ka dhënë edhe Ndërmarrja publike komunale Tetova-Tetovë e cila ka vënë në funksion resurset e saja për të ndryshuar pamjet e parqeve në këto dy lagje”, thonë nga kjo inciativë.
Armin Malezi, nga kjo iniciativë thotë se detyra kryesore është që të ngrihet vetëdija tek qytetarët që ato pjesë me gjelbërim të mirëmbahen, kurse në të ardhmen, përveç institucioneve, më shumë kujdes të kenë edhe qytetarët. “Ata që është dashur ta bëjnë punën e tyre për të ndërtuar parqe, për të zbukuruar qytetin, për të mbjellë, nuk e kanë bërë punën e tyre, prandaj ne si gjeneratë e re, kemi marrë iniciativë, apo kemi ndjerë nevojën që ambientin ku jetojmë ta bëjmë më të bukur”, thotë ai.
Ndërkohë, ideja e këtyre të rinjve është që të vendosin sa më shumë ulëse nëpër parqet e qytetit të Tetovës, pasi që ata vlerësojnë se edhe ato parqe që janë rregulluar, nuk janë funksionale, ngase janë lënë i brakstisur , si “Parku i gruas”, i rregulluar para disa vitesh, kurse të njëjtin fat kanë edhe parqet tjera brenda në qytet. Pasi që bëhet fjalë për iniciativë qytetare, anëtarët bëjnë thirrje që sa më shumë të rinj t`ju bashkëngjiten për të dhënë kontributin e nevojshëm për të pasur sa më shumë parqe dhe gjelbërime në qytetin e Tetovës. (koha.mk)